Konflikti Turqi-Greqi, Franca dërgon avionë dhe anije luftarake në Mesdheun Lindor

Greqia dhe Turqia tregohen të gatshme për dialog për t’i dhënë zgjidhje konfliktit për hapësira territoriale në Mesdheun Lindor. Frika e një skenari për përshkallëzim të tensioneve ka afruar në rajon edhe prezencën ushtarake franceze dhe ndërkombëtare.

Franca ka dërguar avionë dhe anije luftarake në Mesdheun Lindor për të ndërhyrë në rast të acarimit të konfliktit që po zhvillohet mes Turqisë dhe Greqisë.

Presidenti francez, Emanuel Makron, pas një bisede telefonike me kryeministrin grek, Qirjakos Micotaqis, akuzoi Ankaranë se po provokon tensione me operacionet e veta të kërkimit të gazit dhe naftës në ujërat territorialë grekë.

Makron i bëri thirrje Turqisë të ndalë veprimet e njëanshme dhe të ulet për dialog, gatishmëri për të cilin shprehu edhe kryeministri Micotaqis.

“Ne nuk i druhemi as dialogut më të zjarrtë, sepse kemi besim te pozicioni ynë i drejtë. Por ai nuk ka kuptim në klimë tensioni dhe provokimesh. Me reagimin e saj, Turqia tregon për fat të keq se nuk pajtohet dot me parimet europiane të shekullit të 21-të, dhe ka ngecur në logjikën e shkuar të shtrëngimit dhe kanosjes. Vendi ynë nuk kërcënon, por as nuk i pranon shantazhet.”

Kundërshtitë mes Turqisë dhe Greqisë lidhen me ujërat territorialë dhe janë shtuar më tepër nga dita e hënë kur Ankaraja dërgoi një anije për të studiuar terrenin nënujor për hidrokarbure.

Një marrëveshje e fundit mes Athinës dhe Egjiptit, për një zonë ekskluzive ekonomike në Mesdhe, e denoncuar sakaq nga Turqia, vetëm sa e thelloi konfliktin për territore.

Ekspedita për zbulimin e hidrokarbureve në Mesdheun Lindor po kryhet nën shoqërinë e disa luftanijeve turke në perëndim të Qipros, ndërkohë më në perëndim, flota franceze dhe ajo greke lëshuan sërish sinjale të enjten duke kryer manovra të përbashkëta ushtarake afër Kretës.

Turqia thotë se ka vijën bregdetare më të gjatë në Mesdheun Lindor por përfiton padrejtësisht vetëm një rrip të ngushtë të territorit ujor, çka kufizon operacionet e saj për hidrokarbure.

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdoan, gjatë ditës përsëriti se Athina dhe administrata greke në Qipro janë shkaktare të tensioneve në rajon dhe nuk po respektojnë të drejtat e Turqisë.

“Ne nuk po duam të rendim pas aventurave të kota dhe as nuk kërkojmë tensione. Të kërkosh shelfin kontinental nga ishulli i Meisit, që është 2 km nga bregdeti ynë dhe 580 kilometra nga toka greke, bie ndesh me arsyen dhe intelektin. Një ishull me sipërfaqe 10 km katrorë që ka 40 mijë km katrorë shtrat kontinental, edhe në ligjin ndërkombëtar, është qesharak dhe i pabazuar.”

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian pritet ta diskutojnë të premten situatën në rajonin e Mesdheut për të evituar rrezikun e një konfrontimi ushtarak mes dy vendeve.

SHKARKO APP