Koronavirusi, 64 italianë të kthyer nga Kina qëndrojnë në gjendje karantine në Romë

64 italianë të kthyer nga Kina në Itali qëndrojnë në gjendje karantine, në zonën ushtarake Cecchignola në afërsi të Romës, raportojnë mediat italiane.

8 prej tyre kanë mbërritur mbrëmjen e djeshme pas një udhëtimi që tranzitoi përmes Londrës e gjatë orëve të ardhshme pritet të mbërrijë me një avion ushtarak dhe një 17-vjeçar italian i cili kishte shfaqur temperaturë në momentin e nisjes nga Kina.

Një italian i grupit të mbërritur nga Kina ka rezultuar pozitiv me koronavirus e po kurohet në spitalin e sëmundjeve infektive të Romës e gjatë orëve të fundit po ekzaminohen dhe 2 fëmijë e nëna e tyre, po pjesë e këtij grupi të cilët kishin shfaqur simptoma të ngjashme me koronavirus.

Nga instituti i sëmundjeve Infektive të Romës vjen informacioni se çifti kinez pozitiv me virusin vazhdojnë të jenë në terapi intensive e me prognozë të rezervuar, ndërsa shtetasi italian i infektuar me këtë virus po kurohet me antiviral e është në gjendje të mirë.

Totalisht ky institut ka kryer analizat për koronavirus ndaj 53 pacientëve të tjerë.

20 prej tyre mbahen nën vëzhgim të shtruar në këtë strukturë pasi kanë qenë në kontakt me çiftin kinez.

38 pacientë kanë dalë nga kjo strukturë me rezultat negativ ndaj koronavirus. 10 të tjerë janë në pritje të rezultatit të analizave.

Ndërkohë nga Taiwan vjen lajmi se kanë rezultuar pozitiv me koronavirus një  familje kineze e sapo kthyer nga një udhëtim turistik në Itali. Ata kanë qëndruar në Romë, Firenze e Venezia.

Preokupimi është i lartë e autoritetet italiane po analizojnë te gjitha fazat e udhëtimit të tyre në Itali e personat që kanë qenë në kontakt me ta.

SHKARKO APP