KORONAVIRUSI/ Çekia fillon “karantinën e zgjuar” dhe testimin e “mençur”
Republika Çeke ka filluar të ashtuquajturin testim të mençur apo karantinë e zgjuar, që ka të bëjë me ndjekjen dhe gjetjen e personave të infektuar përmes përdorimit të telefonave dhe kartave bankare.
Karantina e zgjuar do të thotë që kontaktet e personave të infektuar me koronavirus gjurmohen shpejt përmes informacionit nga ofruesit e telefonave celularë dhe kartat bankare. Masa, e përdorur me sukses nga Tajvani dhe Koreja e Jugut, fillimisht zbatohet në rajonin e Moravisë së Jugut, me qëllim të lehtësimit të të gjithë qytetarëve çekë nga kufizimet e përgjithshme të lëvizjes sa më shpejt të jetë e mundur.
“Karantina e zgjuar” organizohet nga ushtria dhe menaxhohet nga kreu i Shtabit Qendror Kombëtar të Krizave, epidemiologu Roman Primula. Ai tha se pas Pashkëve, kjo masë do të merret në të gjitha rajonet, dhe disa nga masat e përgjithshme do të shfuqizohen. “Smart Karantina” nënkupton që, me pëlqimin e personit të infektuar, vendndodhja e GPS-it do të verifikohet nga ofruesi i telefonit të tij celular dhe në bazë të kartelës së tij bankare, për të gjurmuar ku ka lëvizur pesë ditët e fundit dhe kë mund të takojë dhe infektojë.
Personat me të cilët i infektuari ka qenë në kontakt duhet të karantinohet. Brenda disa orësh, një ekip ushtarak shkon për të marrë një mostër për provë, dhe nëse del i infektuar, karantina zgjat 14 ditë. Ushtria ka ofruar 253 ushtarë dhe 82 automjete për “karantinën e zgjuar”, dhe Shtabi i Përgjithshëm ka epidemiologë dhe mjekë dhe vetë ushtria ka tre spitale, tha kryeministri Andrei Babish në një intervistë të botuar të hënën.
“Në fazën e parë, ishte e rëndësishme të vendoseshin masa të përgjithshme për të ndaluar përhapjen e pakontrolluar të virusit. Në fazën e dytë, ne duhej t’i zëvendësonim ato masa me një karantinë të zgjuar”, tha kryeministri.
Që nga 16 marsi, Republika Çeke, pas tre rasteve të para të infektimit më 1 mars, nuk vendosi gjendjen e jashtëzakonshme, madje as ndalim qarkullimi, por vetëm “gjendjen e krizës”, që është një shkallë më ulët se gjendja e jashtëzakonshme. Qeveria po përgatitet ta zgjasë këtë situatë deri në fund të prillit. Ajo ka nevojë për miratimin e parlamentit që tashmë ka miratuar një paketë të qeverisë për ndihmën ndihmës ekonomike për shkak të epidemisë dhe një deficit rekord buxhetor prej tetë miliardë eurosh këtë vit. Republika Çeke nuk i izoloi pensionistët, por rekomandoi vetëm që të mos dilnin nëse nuk duhej, dhe caktoi kohë të veçantë për ta nëpër dyqane.
Çekia ka pasur rreth 2.859 persona të infektuar dhe 17 viktima.