Koronavirusi futet në një tjetër shtet ballkanik, babë e bir rezultojnë pozitiv
Koronavirusi ka hyrë edhe në një tjetër vend ballkanik dhe bëhet fjalë për Bosnjë-Hercegovinën ku nga analizat kanë rezultuar si pozitiv babë e bir.
Rastet janë konfirmuar Bosnje nga ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Republikës Serbe, Alen Sheranic, në një konferencë për shtyp.
“Bëhet fjalë për një punëtor që ishte në Itali dhe që u kthye në Banja Llukë. Ai u transferua në një qendër klinike. Gruaja e tij është negative, por fëmija është pozitiv për korona virus”, tha Sheranic, duke paralajmëruar lajmin e hidhur se mund të paraqiten edhe më shumë raste.
Ndërkohë ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të kujdesen për higjenën personale ndërsa nga ana tjetër, Këshilli i Ministrave do të zhvillojë një seancë të jashtëzakonshme të enjten për të diskutuar mbi situatën.
Në të gjithë botën, autoritetet kanë konfirmuar më shumë se 92,000 raste të virusit, nga të cilat më shumë se 80,000 janë në Kinë ndërsa të prekura deri më tani numërohen mbi 70 vende. Bilanci i vdekjeve kapërceu 3000. Dhjetë nga 11 vdekjet në SHBA kanë ndodhur në shtetin Uashington, por një shpërthim të virusit ka pasur edhe në Teksas dhe Nebraska.