Koronavirusi, Korea e Jugut fut në karantinë paratë, ndalohen pagesat “cash”
Korea e Jugut ka vendosur në karantinë të gjitha paratë kesh, duke urdhëruar të gjitha bankat dytësore dhe institucionet e tjera financiare shtetërore dhe private që të bllokojnë transfertat fizike të parave.
Bllokimi përfshin paratë në dorë dhe urdhri sanksionon se të gjitha pagesat mund të kryhen vetëm përmes kartave online, pa kontakte fizike me prerjet e parave.
Vendimi mbërrin pasi brenda 24 orëve autoritetet njoftuan mbi 140 raste të reja të të infektuarve me koronavirusin e ri. Banka Qendrore e Koresë së Jugut thotë se karantinimi i parave do të qëndrojë në fuqi për 2 javë.
Brenda kësaj periudhe të gjitha prerjet do t’i nënshtrohen një procesi “larjeje” duke u ekspozuar në temperatura të larta, si masë dezinfektimi ndaj viruseve. Banka Qendrore koreane tha se po tërheq nga bankat e nivelit të dytë të gjitha prerjet e kartmonedhave për t’i izoluar për 2 javë, marrë shkas nga pohimi i shkencëtarëve se koronavirusi i ri nuk mbijeton më shumë se 9 ditë.
Korea e Jugut zyrtarisht ka raportuar rreth 7500 raste me koronavirus, prej të cilëve 54 persona kanë ndërruar jetë.
Qarkullimi i parasë në dorë është një prej faktorëve kryesorë që Organizata Botërore e Shëndetësisë ka renditur mes shkaqeve të përhapjes së koronavirusit. Një masë mbrojtëse të ngjashme ndërmorën edhe autoritetet kineze, me ndryshimin se detyra për larjen dhe dezinfektimin e pareve iu la në dorë bankave të nivelit të dytë dhe nuk u bllokuan transaksionet me para të thata.