Koronavirusi nuk ndal karnavalet braziliane
Brazili nuk ka vendosur ende nëse do të ndërpresë karnavalet tradicionale të shkurtit prej rrezikut të përhapjes së koronavirusit të ri nga Kina.
Ndërsa e gjithë botë është nën alarmin e koronavirusit të përhapur nga Kina, në Brazil vijojnë pa pushim përgatitjet për karnavalet tradicionale.
Vendi ende nuk ka raportuar zyrtarisht raste të epidemisë vdekjeprurëse, por infeksionistët paralajmërojnë se festa kombëtare me kostume është një ambient i favorshëm për infeksionet.
Rreth 15 milionë persona pritet të mbushin sheshet dhe paradat e Sao-Paolos, ndërsa në ekonominë kombëtare do i injektohen afro 1,9 miliardë dollarë.
“Për ne koronavirusi nuk ka ndryshuar asgjë. Falë zotit nuk kemi pasur raste në San-Paolo, dhe nuk kemi për të pasur. Për këto karnavale vetë kam investuar shumë, edhe njerëzit,” tregon një shitës.
Ministri brazilian i shëndetësisë është shprehur se gjatë sezonit të karnevaleve do të kenë shtim të monitorimeve në porte dhe aeroporte.
Qytetarëve u është rekomanduar të ruajnë higjienën vetjake ndërsa të ardhurve, të mos dalin në rrugë dhe të evitojnë kontaktet në distancë më të vogël se 3 metra me personat e tjerë.
“Mendoj se brazilianët nuk po i kushtojnë shumë vëmendje koronavirusit. Publiku i karnavaleve thjesht do të argëtohet, janë një grup të rinjsh që nuk mendojnë shumë për pasojat e virusit dhe as për sëmundjet e tjera seksualisht të transmetueshme,” shton një banor i kryeqytetit.
Autoritetet braziliane po verifikojnë 13 raste të dyshuara me koronavirusin vrasës në shtetet e Sao-Paolos dhe Rio-De-Zhanejros, ndërsa sezoni i karnavaleve do të mbahet në data 21 deri 26 shkurt.