Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi marrin dozat e para të vaksinave përmes Covax
”Askush nuk është i sigurt deri sa të jemi të gjithë të sigurt”, kështu thotë ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, duke iu referuar fushatës së vaksinimit anti-covid dhe shpërndarjes së tyre nëpërmjet mekanizmit të Covax.
Sot Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi marrin dozat e para të vaksinave anti-covid nëpërmjet mekanizmit të Covax. Maqedonia e Veriut ka marrë sot dërgesat e para të vaksinave të siguruara nëpërmjet mekanizmit Covax. Në vend kanë arritur 24.000 doza të AstraZeneca dhe Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se imunizimi me këtë doza të vaksinave do të fillojë të mërkurën, duke bërë që të zgjerohet edhe grupi i të vaksinuarve pasi deri tani janë vaksinuar vetëm personeli shëndetësor.
“Me këtë dërgesë, do të imunizohen të sëmurët kronik dhe personat mbi 75-vjeç. Vaksinimi do të kryhet në qendrat shëndetësore. Në muajin prill pritet të arrijë dhe pjesa tjerë prej 76.000 dozave të vaksinave AstraZeneca”, ka deklaruar ministri Filipçe, i cili doli në aeroportin e Shkupit për të pritur mbërritjen e kontingjentit të vaksinave.