Kremlini ka dyshime për liderin e ISIS: Vdekja e Baghdadit fuqizon Trumpin, nëse ka ndodhur vërtet
Kremlini ka thënë të hënën se presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë një kontribut të madh në luftimin e terrorizmit ndërkombëtar, nëse është e vërtetë deklarata se është vrarë Abu Bakr al-Baghdadi, lideri i grupit militant, Shteti Islamik.
Trump ka njoftuar të dielën se Baghdadi ka kryer vetëvrasje gjatë bastisjes së forcave speciale amerikane në Siri, si dhe ka falënderuar Rusinë, në mesin e vendeve tjera për mbështetjen që u kanë dhënë Shteteve të Bashkuara.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka mohuar të tregojë të hënën nëse Shtetet e Bashkuara kanë informuar paraprakisht Rusinë për këtë operacion. Mirëpo ai u ka thënë gazetarëve se ushtria ruse ka vërejtur aeroplanët amerikanë dhe dronët në zonën në të cilën Uashingtoni ka thënë se ka kryer operacionin në Siri.
“Nëse informacioni për vrasjen e Baghdatit konfirmohet, ne mund të flasim për kontributin serioz të presidentit të Shteteve të Bashkuara në luftimin e terrorizmit ndërkombëtar”, ka thënë Peskov.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se ka dilema në deklaratat e Trumpit, pasi aty nuk janë dhënë informacione të besueshme rreth operacionit amerikan, si dhe janë dhënë katër arsye pse versioni i SHBA-ve duket i dyshimtë.
“Numri në rritje i pjesëmarrësve në operacion dhe shtetet që dyshohet se kanë qenë pjesë e ‘operacionit’, secili me detaje kontradiktore, rrit pyetjet dhe dyshimet nëse ka ndodhur dhe sa i suksesshëm ka qenë”, ka thënë kjo ministri.
Për dallim nga Kremlini, ministria po ashtu ka ulur rëndësinë e Baghdadit, duke thënë se edhe nëse konfirmohet vdekja e tij, sërish “nuk do të ketë rëndësi operacionale” në situatën në Siri apo në veprimet e militantëve të mbetur në rajonin Idlib të Sirisë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar të dielën për vrasjen e Al-Baghdadit, në një sulm të forcave amerikane në fshatin Barisha të provincës Idlib, në veriperëndim të Sirisë. Al-Baghdadi ka qenë një nga terroristët më të kërkuar në botë.
Në kulmin e fuqisë më 2014 dhe 2015, grupi Shteti Islamik ka kontrolluar një sipërfaqe prej 88,000 kilometrash katrorë që shtrihej nga Siria perëndimore në Irakun lindor.