Kremlini mohon: Nuk shpallim luftë në 9 maj, s’kemi plane të tilla!

Rusia nuk ka asnjë qëllim të shpallë zyrtarisht luftën në Ukrainë e për rrjedhojë, edhe mobilizimin e përgjithshëm në 9 maj, dita e fitores mbi nazizmin në Luftën e Dytë Botërore.

Kremlini mohon raportet, sipas të cilave pikërisht në këtë datë, Moska po përgatitej t`i jepte një formë tjetër të ashtuquajturit “operacion të saj ushtarak në Ukrainë”.

“Nuk kemi plane të tilla”, deklaroi zëdhënësi Dimitri Peskov, i cili shtoi ndërkohë se as nuk po shohin ndonjë progres në bisedimet e paqes me Kievin.

Edhe pse e shpalli fillimin e sulmit në Ukrainë në 24 shkurt, Vladimir Putin gjithmonë ka insistuar se trupat e tij po kryejnë një “operacion special ushtarak” në vendin fqinj.

Zyrtarë e analistë perëndimorë besojnë se kjo mund të ndryshojë në 9 maj, një ditë simbolike për Rusinë, me një deklaratë të hapur lufte që do t’i krijojë Putinit mundësinë të zgjerojë fushatën e tij.

Zyrtarët perëndimorë kanë besuar prej kohësh se Putini do të përdorte rëndësinë simbolike dhe vlerën propagandistike të ditës për të shpallur ose një arritje ushtarake në Ukrainë, ose një përshkallëzim të madh të armiqësive ose të dyja.

SHKARKO APP