Kreu i OKB-së, Guterres: Bisedimet për Qipron, pa marrëveshje
Nga Mira Bregu, OKB-Gjenevë
Mbrëmë në orët e vona të natës, pas bisedimeve të Qipros Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres u shpreh: “Më vjen keq t’ju informoj se përkundër angazhimit shumë të fortë dhe angazhimit të të gjitha delegacioneve dhe partive të ndryshme, delegacioneve greke dhe turke qipriote; Greqisë, Turqisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimi Evropian – si vëzhgues, dhe natyrisht ekipit të Kombeve të Bashkuara, Konferenca mbi Qipron u mbyll pa arritur një marrëveshje.”
Ky raund diskutimesh që filloi në Krans-Montana më 28 qershor, nën drejtimin e OKB-së, në praninë e presidentit qipriot-Nicos Anastasiades dhe drejtuesit qipriot turk-Mustafa Akinci dhe përfaqësuesve garant për sigurinë e ishullit, Greqia, Turqia dhe Britania e Madhe (ish-fuqi koloniale) e cila ruan të drejtën për të ndërhyrë ushtarakisht, pati deklarata të “forta” nga të dyja palët:
Ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Kotzias në ditën e gjashtë të bisedimeve, kërkoi largimin e trupave pushtuese nga Qipros duke shprehur keqardhje që diskutimet në kuadër të ribashkimit të ishullit të ndarë që prej më shumë se 40 vitesh nuk kanë hyrë në fazën e duhur.
Nikozia, mbështetur nga Athina, bëri presion për heqjen e kësaj ndërhyrjeje të njëanshme dhe kërkoi një kalendar të qartë për tërheqjen e trupave turke.
Zëvendëskryeministri turk, Numan Kurtulmus, duke u shprehur për median në Ankara, theksoi se përsa i përket çështjes së sigurisë dhe garancive. Turqia nuk shkon prapa.
Qipro, që numëron një milion banorë, është ndarë që kur ushtria turke pushtoi në vitin 1974 pjesën veriore të ishullit në reagim të grushtit të shtetit që parashikonte bashkimin e vendit me Greqinë…
“Dua të shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin e thellë për udhëheqësit e të dy komuniteteve dhe uroj më të mirën për të gjithë qipriotët, në veri dhe në jug.” – u shpreh mbrëmë gjatë konferencës Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
“Unë gjithashtu dua të shpreh mirënjohjen time të thellë ndaj përfaqësuesve të Fuqive Garantuese dhe Bashkimit Evropian dhe të shpreh vlerësimin tim të madh për ekipin e OKB-së, të udhëhequr nga Espen Eide, të cilët bënë gjithshka që është e mundur për të sjellë më afër qëndrimet e ndryshme të delegacioneve.
Për fat të keq,- siç thashë, marrëveshja nuk ishte e mundur dhe konferenca u mbyll me pa mundësinë për të sjellë një zgjidhje për këto probleme afatgjata dramatikisht të qëndrueshëm.”
Pyetjes se a do të vazhdojnë negociatat e palëve edhe nëse ata thonë stop, Sekretari i Përgjithshëm u përgjigj: “Konferenca është e mbyllur. Kjo nuk do të thotë se iniciativa të tjera nuk mund të zhvillohen për të adresuar problemin e Qipros. Por kjo konferencë u mbyll, për fat të keq, pa rezultat. Roli i Kombeve të Bashkuara është roli i një lehtësuesi dhe ne do të jemi gjithmonë në dispozicion të palëve të gatshme për të arritur një marrëveshje, nëse do të ishte kështu.
Gjatë përgjigjes së pyetjes se kush ishte pengesa kryesore e kësaj mosmarrëveshje, Sekretari i Përgjithshëm Guterres tha:- Unë nuk mund të theksoj një çështje të veçantë, por mendoj se ishte e qartë se ka pasur ende një distancë të konsiderueshme në mes delegacioneve, në lidhje me një numër çështjesh, që e bëri të pamundur këtë marrëveshje”.
Në fund të konferencës, Sekretari i Përgjithshëm falenderoi edhe qeverinë zvicerane për mikpritjen e saj, angazhimin e saj në mbështetje të këtyre bisedimeve.
KOHA JONË SONDAZH

