Kritikat e Macron ndaj NATO-s, reagojnë Merkel dhe Pompeo
Qëndrimi i Presidentit të Francës, Emmanuel Macron për NATO-n, që e quan si aleancë që është në prag të vdekjes, ka nxitur mjaft reagime. Kancelarja gjermane Angela Merkel e ka përshkruar kritikën e Macron-it ndaj NATO-s si drastike.
”Presidenti francez ka zgjedhur fjalë drastike. Këndvështrimi im rreth bashkëpunimit brenda NATO-s nuk është ky. Mendoj se nuk është e nevojshme një goditje kaq e rëndë”, tha Merekl në një konferencë të përbashkët për mediat me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Berlin. I pyetur nëse besonte ende te Artikulli 5 i traktatit sipas të cilit vendet e NATO-s duhet të mbrojnë njëri-tjetrin në rast të sulmeve ushtarake nga të tretë, Macron u përgjigj: “Nuk e di”.
Për këto deklarata, të bëra në një intervistë me britaniken “The Economist”, reagoi edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i cili e quajti NATO-n aleancën më të rëndësishme ushtarake në historinë e njerëzimit. Edhe Pompeo ndodhet në Gjermani për festimet e 30-vjetorit të shembjes së Murit të Berlinit. Nga ana tjetër, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, i quajti “fjalë të arta” deklaratat e Macron. Më 4 dhjetor në Londër do të mbahet Samiti i NATO-s.