Kritikat për marrëveshjen, Vuçiç: Nuk luftoj për Putin as për Biden, por për serbët
Marrëveshja serbo-ruse e nënshkruar pak ditë më parë në selinë e Kombeve të Bashkuara, po has në shumë kritika. Presidenti Aleksandër Vuçiç, thotë se Serbia po sulmohet brutalisht për një dokument burokratik, të cilin e vlerësoi pa asnjë peshë të rëndësishme.
Presidenti serb nënvizoi se e di shumë mirë nga i vjen presioni për të marrë vendime të vështira, por nuk pranoi të japë shumë detaje, siç tha ai për të mos dëmtuar vendin.
“Unë nuk po luftoj për Putinin apo Bidenin. Jo për askënd. Unë po luftoj për të gjithë qytetarët e Serbisë, për këtë vend. Nuk më interesojnë liderët e huaj, apo gjithçka që ata kanë për t’i thënë Serbisë. Por po shikoj që në këto momente të vështira, Serbia të mos jetë nën sulmin e tyre”, tha presidenti.
Po ashtu Vuçiç përsëriti se Serbia nuk do të njohë vendimin e Rusisë për të aneksuar katër rajonet e Ukrainës, ku u mbajtën referendumet, duke pranuar se kjo do t’i hiqte të drejtën atij për të mohuar pavarësinë e Kosovës.