Kriza e Gjirit, Sekretari i Mbrojtjes së SHBA, vizitë në Katar
Emiri i Katarit Tamim Bin Hamad Al-Thani u takua, këtë enjte, në Bazën Ajrore Ushtarake “Udeid” në Katar, me Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes James Mattis, ku diskutuan situatën dhe zhvillimet aktuale në rajon, veçanërisht krizën e Gjirit. Mediat ndërkombëtare raportojnë se “gjatë takimit u fol për mënyrat për të forcuar zhvillimin e partneritetit strategjik dhe marrëdhënieve të bashkëpunimit mes dy vendeve, me fokus në fushën e mbrojtjes dhe atë ushtarake, si dhe u diskutua rreth luftës së dy vendeve kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”.
Diplomacia amerikane ka shënuar në javët e fundit një përshpejtim të rëndësishëm të përpjekjeve për zgjidhjen e krizës së Gjirit ku pjesa më kulmuese ishte hyrja direkte e Presidentit Amerikan Donald Trump, në linjën e përpjekjeve për zgjidhjen e krizës. Në këtë kuadër ai u takua me Emirin e Kuvajtit Sabah Al-Ahmad Al-Sabah në Uashington më 7 Shtator 2017, dhe më pas me Emirin e Katarit në Nju Jork më datë 19 të të njëjtit muaj, pas punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Presidenti Amerikan u shpreh gjatë takimit me Emirin e Katarit se “kam bindjen se kriza Gjirit do të zgjidhet në një kohë shumë të afërt”.
Sipas burimeve të ndryshme mediatike, ndryshimet e qasjes së Presidentit Trump ndaj krizës së Gjirit filluan pas paralajmërimeve nga Sekretari i Departamentit të Shtetit Rex Tillerson dhe Sekretari i Mbrojtjes James Mattis, si dhe nga këshilltari i tij për Sigurinë Kombëtare H. R. McMaster, se nga zgjatja e krizës përfiton Irani, gjë që dobëson vazhdën e presionit ndërkombëtar ndaj Iranit.
Kriza e Gjirit filloi nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti më 5 Qershor 2017 me shkëputjen e marrëdhënieve diplomatike, dhe vendosjen e një bllokade politike dhe ekonomike ndaj Katarit, duke e akuzuar atë për mbështetje të terrorizmit, akuza të cilat Doha i ka mohuar tërësisht.
KOHA JONË SONDAZH

