Kriza e strehimit në Kaliforni – Apple ndihet fajtor. Premton 2.5 miliardë dollarë për ta luftuar
Apple deklaroi në nisje të javës se do të disponojë 2.5 miliardë dollarë për të zbutur mungesën në strehim që ka rritur çmimet në të gjithë Kaliforninë. Paraja do të shkojë drejt fondeve që do të drejtohen nga qeveria shtetërore.
Një miliardë dollarë do shkojë drejt një fondi të drejtuar në bashkëpunim me shtetin, që synon nisjen e projekteve për strehimin e përballueshëm. Pjesa tjetër do të shkojë drejt një fondi që drejtohet tërësisht nga shteti, për t’i ofruar mbështetje financiare blerësve të shtëpisë së parë, përfshirë mësuesve, infermierëve, policëve dhe zjarrfikëseve.
Ekzekutivi Tim Cook tha se kompania ndihet përgjegjëse për krizën e strehimit në Kaliforni. Selia e Apple në Cupertino Kaliforni, një unazë gjigante metalike me epitetin “anija kozmike”, ndodhet vetëm 5 kilometra larg lagjes ku jetonin Steve Jobs dhe Steve Wozniak, ku krijuan kompjuterët e parë Apple në vitet 70’.
“Ne duam që ky vend të jetë kumbues dhe ku njerëzit të jetojnë dhe rrisin familje. Kjo nuk është e mundur sot për shumë njerëz”, tha Tim Cook. Kjo vjen pas një lëvizjeje të ngjashme nga Facebook dhe Google, që premtuan 1 miliardë dollarë për strehimin në Kaliforni dhe Microsoft, që disponoi 500 milionë dollarë në Seatlle, Washington.
Në Kaliforni, shumë banorë kanë dalë në protesta duke thënë se kompanitë e teknologjisë të vendosura atje janë fajtore për rritjen e kostove të strehimit.