Kriza humanitare në Siri, Katari premton 100 milion USD ndihma për popullin sirian

Katari do ta ndihmojë popullin sirian me 100 milionë dollarë. Zotimin e ri të Katarit e shpalli zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Sheikh Mohamed bin Abdul Rahman Al Thani, gjatë punimeve të Konferencës së Katërt të Brukselit me temë “Mbështetja e së Ardhmes së Sirisë & Rajonit”, e cila u zhvillua të martën përmes videokonferencës. Ministri i Jashtëm i Katarit, deklaroi se zotimi i ri vjen nën direktivat e HH Emirit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, me synim lehtësimin e vuajtjeve me të cilat përballet populli i Sirisë. “Ky zotimi buron nga besimi i patundur i Katarit në përmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare dhe si detyrë humanitare ndaj popullit të Sirisë. Ndihma jonë aktuale për popullin vëlla sirian i ka tejkaluar dy miliardë USD”.

Sheikh Mohamed Al Thani theksoi se që nga fillimi i krizës siriane, Shteti i Katarit nuk është kursyer për të përmirësuar reagimin e shpejtë humanitar dhe sigurimin e ndihmës efektive për popullin sirian. Ai konfirmoi mbështetjen e Katarit ndaj përpjekjeve ndërkombëtare për arritjen e një zgjidhjeje politike të krizës siriane, bazuar në Deklaratën e Parë të Gjenevës më 2012 dhe rezolutat relevante të Këshillit të Sigurimit, veçanërisht rezoluta nr 2254, në përmbushje të aspiratave legjitime të popullit sirian për siguri, stabilitet dhe ruajtje të integritetit territorial.

Midis të tjerash, Al Thani falënderoi BE-në dhe OKB-në për organizimin e kësaj konference, si dhe shtetet pjesëmarrëse për mbështetjen e tyre ndaj popullit të Sirisë, pavarësisht vështirësive ekonomike të hasura për shkak të pandemisë Covid–19. “Po ballafaqohemi me një krizë humanitare të panjohur më parë nga njerëzimi, gjatë së cilës sirianët janë privuar nga nevojat elementare të jetesës përfshirë ujin, ushqimin, infrastrukturën, shërbimet thelbësore komunitare si arsimi e shëndetësia, shto këtu edhe numrin e lartë të të shpërngulurve, i cili ka arritur pothuaj 12 milion persona”.

Sipas Ministrit të Jashtëm të Katarit, përballimi me sukses i pasojave të katastrofës humanitare siriane arrihet vetëm nëpërmjet një zgjidhjeje politike rrënjësore, e cila do t’i jepte fund krizës. ”Kjo është përgjegjësi e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht Këshillit të Sigurimit dhe e palëve aktive”, duke ngritur dhe pyetjen: “Çfarë brezi presim të prodhojë kjo luftë, kur fëmijët sirianë rriten me imazhet e bombardimeve, shpërthimeve dhe masakrave të shkaktuara nga armët e ndaluara që kanë targetuar në mjaft raste qytetet, fshatrat dhe familjet e tyre”? Al Thani tha se tashmë “Ka ardhur koha që komuniteti ndërkombëtar të punojë seriozisht për të ndaluar makinerinë vrasëse të regjimit sirian dhe t’i japë fund dhunës në rritje që s’ka dallim nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm, e që konvergojnë në ekzistencë, qëllim dhe rezultat”.

SHKARKO APP