Kriza në energji, Europa në protestë

Mijëra njerëz u mblodhën në rrugët e Berlinit për të kundërshtuar ndërhyrjen e Gjermanisë në konfliktin Rusi-Ukrainë, që ka çuar në një krizë energjetike, por po e çon vendin drejt një recesioni.

Protestuesit shprehen se fatura e ngrohjes me gaz natyror për këtë vit është të paktën 50 përqind më e lartë se vitin e kaluar.

“Çmimi i energjisë vazhdon të rritet. Ne përdorim gaz natyror për ngrohje, por askush nuk e di se sa do të shkojë çmimi”, tha një protestues. Në një tjetër protestë, njerëzit i bënë thirrje qeverisë gjermane të kërkojë zgjidhje paqësore për këtë luftë.

Protestat u mbajtën edhe në Britaninë e Madhe ku demonstruesit mbushën rrugët në disa qytete për të kundërshtuar rritjen e faturave të energjisë dhe kostove të larta të jetesës. Tubimet e organizuara nga disa sindikata të punëtorëve u mbajtën në qytete të mëdha si Londër, Birmingham, Mançester dhe Liverpul.

Në Londër, qindra protestues u mblodhën në sheshin King’s Cross, duke mbajtur pankarta ku shkruhej “Mjaft është mjaft”, duke shprehur pakënaqësinë e tyre dhe kërkuan veprime nga qeveria për të adresuar problemet urgjente.

SHKARKO APP