Kroaci: Plenkoviç mban pushtetin
Partia europianiste e kryeministrit kroat, Andrej Plenkoviç, ka fituar zgjedhjet parlamentare duke mundur bindshëm socialdemokratët opozitarë. Plenkoviç thotë se pandemia dhe ringritja e ekonomisë janë sfidat me të cilat ai do përballet vitet që vijnë.
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, dhe partia e tij “Bashkimi Demokrat Kroat” janë rikonfirmuar fituesit e zgjedhjeve parlamentare për katër vitet e ardhshme.
Partia në pushtet e Plenkoviçit siguroi të dielën 66 nga 151 deputetët e mundshëm të vendit, duke marrë mbi 37 për qind të votës popullore.
Rivali tjetër më i afërt, koalicioni socialdemokrat i opozitarit, Davor Bernardiç, mori 12 për qind më pak vota apo 41 mandate, ndjekur nga blloku nacionalist dhe euroskeptik me 16 mandate.
Kryeministri Plenkoviç në fjalimin e fitores u deklaroi se sfidat që e presin kabinetin e tij janë të mëdha: më urgjentja është përballja me pandeminë e koronavirusit por edhe pasojat e saj që këtë vit pritet të rezultojnë në tkurrjen me 10 për qind të ekonomisë kombëtare dhe deri 70 për qind të të ardhurave nga turizmi.
Ndërkohë, nga opozita, shefi i saj paralajmëroi dorëheqjen.
“Ky rezultat, sot, fitorja jonë nuk është vetëm dominante por edhe një detyrim sepse kemi pasur një mandat të vështirë plot me sfida. Ato që na presin kanë për të qenë edhe më të mëdha.”
“Sigurisht që për PSD-në dhe për koalicionin ky ishte një rezultat i dobët. Unë nuk i shmangem përgjegjësisë dhe jam gati ta lëshoj postin kur ta diskutojmë këtë nesër brenda lidershipit.”
Për shkak se numrat aktualë nuk i lejojë atij të udhëheqë i sigurt, demokratët kroatë pritet të formojnë një qeveri koalicioni me partitë e djathta më të vogla që kanë siguruar mandate.
Shumicës parlamentare i nevojiten të paktën 15 deputetë të tjerë për ta pasur këtë siguri.
Kroacia raporton një situatë jo të lehtë me infeksionin e kovidit të ri, që në vend ka infektuar mbi 3 mijë persona dhe ka shkaktuar deri tani rreth 100 viktima.
Frika e infektimit ndikoi të dielën në pjesëmarrjen e ulët që pas shpalljes së pavarësisë nga ish-Jugosllavia 30 vite më parë, me vetëm gati 46 për qind e votuesve që iu drejtuan vendvotimeve.