Kryeministri Johnson përshëndet marrëveshjen historike për klimën

Kryeministri britanik lavdëroi marrëveshjen e arritur në përfundim të takimit dyjavor në Glasgou për nxitjen e përpjekjeve në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Johnson tha se pavarësisht nga mosmarrëveshja mbi shpejtësinë e masave për të kufizuar ngrohjen globale në dekadat e ardhshme, “bota është pa dyshim në drejtimin e duhur”.

Duke folur me gazetarët në Londër, Johnson tha sot se marrëveshja ishte “vërtet historike” dhe do t’i japë fund prodhimit të energjisë nga qymyrguri.

“Pothuajse 200 vende firmosën paktin klimatik në Glasgou, duke shënuar kështu një kthesë vendimtare në përqasjen e botës ndaj ndotjes, duke përcaktuar një trajektore të qartë për kufizimin e rritjes së temperaturave globale deri në 1.5 gradë dhe duke shënuar kështu fillimin e fundit për energjinë nga qymyrguri. Për herë të parë, një konferencë për ndryshimin klimatik ka dhënë mandatin për të kufizuar gjenerimin e energjisë nga qymyrguri”, tha ai.

Por, Johnson u shpreh i zhgënjyer që rezultati i konferencës së OKB-së për klimën nuk ishte më i fortë.

“Ne mund të lobojmë, mund t’i nxisim, t’i inkurajojmë, por nuk mundemi t’i detyrojmë vendet sovrane të bëjnë diçka që nuk e dëshirojnë. Është përfundimisht vendimi i tyre dhe duhet t’i përmbahen atij”, tha ai.

Megjithatë, Johnson tha se pavarësisht nga mosmarrëveshja për përmasat dhe shpejtësinë e masave për të kufizuar ngrohjen globale në dekadat e ardhshme, “bota është pa dyshim në drejtimin e duhur”.

Patricia Espinosa, drejtuesja e OKB-së për klimën, i tha agjensisë së lajmeve Associated Press se zgjidhja e një sfide të tillë si ndryshimi klimatik nuk mund të arrihet në një konferencë, por ajo shtoi se në Glasgou u arrit “një rezultat shumë pozitiv”.

“Jam e kënaqur. Mendoj se është një rezultat shumë pozitiv pasi na ofron udhëzime të qarta se çfarë duhet të bëjmë në vitet në vazhdim. Sigurisht, ndryshimi klimatik nuk është diçka që mund të zgjidhet me një ose dy vendime, apo me një konferencë dy javore. Nuk është e mundur… Ajo që vëmë re është se për herë të parë po flasim për qymyrgurin dhe subvencionet për energjinë nga burime fosile, në kontekstin e ndryshimit klimatik. Mendoj se ky është një hap i mirë përpara”, tha Espinosa./VOA

SHKARKO APP