Kryeministri kanadez Justin Trudeau mban prentimin e dhënë

Nga Gëzim Hoxha

Kryeministri kanadez Justin Trudeau mban prentimin e dhënë duke paraqitur para një jave legjislacionin për të legalizuar përdorimin rekreativ të marihuanës në Kanada.

Shumë vende e kanë dekriminalizuar marijuanën, duke lejuar që të përdoret për nevoja  mjekësiore ose në mënyrë efektive kanë ndaluar zbatimin e ligjeve kundër saj. Ja vlen të përmendim vende të tilla si Urguaji, Izraeli, Hollanda, Zvicra por edhe Kalifornia në SHBA. Kanadaja do të bëhet kombi i dytë, pas Uruguajit, që do të legalizojë plotësisht marijuanën si një produkt të konsumit.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Ndalimi penal nuk ka arritur të mbrojë fëmijët dhe komunitetet tona”, tha Bill Blair, një ligjvënës dhe ish-shef i policisë së Torontos, të cilin z. Trudeau e emëroi për të menaxhuar legjislacionin.

Swiss Digital Mobile Reklama

Qeveria Kanadeze shpresonte të fillonte lejimin e shitjeve ligjore të mrijuanës dhe nënprodukteve të saj nga mesi i vitit 2018.

Ndërsa qeveria federale do të licensojë kultivuesit, secila nga provincat e Kanadasë do të duhet të vendosë saktësisht se si do të shpërndahet dhe shitet droga brenda kufijve të saj. Diplomatët do të duhet të trajtojnë konfliktet me traktatet ndërkombëtare të drogës. Dhe shumë nga përfaqësuesit e fushës mjekësore janë të shqetësuar për efektet afatgjata në shëndetin e kanadezëve nën moshën 25 vjeçare të cilët kanë një përdorim të madh të marijuanës.

Megjithëse tetë shtete amerikane kanë legalizuar marijuanën në nivele të ndryshme, droga mbetet e paligjshme sipas ligjit federal. Lëvizja e z. Trudeau eliminon çdo paqartësi të tillë në Kanada. Ai ndjek një legalizim të mandatuar nga gjykata të marijuanës për qëllime mjekësore, i cili u prezantua me kontrolle të rrepta në vitin 1999 dhe më pas përdorimi i saj u zgjerua me urdhër të mëtejshëm të gjykatës.

Ndërkohë që legjislacioni i ri do ta çojë Kanadanë përtej sistemit të saj mjekësor të marijuanës, ai është ende larg krijimit të një tregu të hapur. Ligji do të kërkojë që blerësit të jenë të paktën 18 vjeç – ndonëse provincat mund të vendosin një minimum edhe më të lartë – dhe do të kufizojë sasinë që mund të mbajnë në çdo kohë deri në 30 gram.

Familjet do të lejohen të rrisin deri në katër bimë marijuane. Por legjislacioni duket i ndërtuar mbi supozimin se shumica e përdoruesve do të furnizohen nga kultivuesit komercialë, të cilët do të licencohen dhe mbikëqyren nga qeveria federale.

Se sa do të kushtojë marijuanë dhe sa rëndë do të tatohet kjo do të ndikohet nga përvoja e Kanadasë me duhanin, e cila gjithashtu është e rregulluar mirë me ligj.

Kur vendi u përpoq të shkurajonte pirjen e duhanit duke rritur ndjeshëm taksat e cigareve, pa dashje krijoi një treg të zi në rritje për cigaret e kontrabanduara nga Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë.

Meqenëse një prej qëllimeve kryesore të qeverisë me ligjin e ri është të zhdukë – ose të paktën të reduktojë – marijuanën e paligjshme, ligji do të duhej të shmangte masat që nxisin rritjen e saj.

Qeveria sqaron edhe pyetjen se: “ku do të blihet droga?”. Disa province e kanë reduktuar shitjen e alkoolit në dyqane të veçanta, duke hamendësuar shitjen edhe të marijuanës në këto dyqane. Këtë gjë qeveria e hedh poshtë duke e kundërshtuar.

Dyqanet e paligjshme të marijuanës që u hapën në vitin 2015 duke parashikuar daljen e këtij ligji nuk do të lejohen që të shesin një product të tillë pasi ato furnizohen nga grupe të krimit të organizuar dhe tregu i zi.

Po ende ka një frikë që i pengon disa që të mos e miratojnë legalizimin e marijuanës. Kjo është frika e rritjes së numrit të aksidenteve në vendet e punës – thotë një përfaqësues i shoqatës së ndërtuesve kanadezë.

Legjislacioni duket se e vë Kanadanë në shkelje të hapur të tre traktateve të Kombeve të Bashkuara në lidhje me drogën. Por një studim i publikuar këtë javë nga Universiteti i Ottawa Global Strategy Lab zbuloi se qeveria mund të jetë në gjendje të justifikojë masën e përdorimit për “qëllime shkencore”.

Sipas ligjit të ri, marijuana do të tregtohet më shumë si cigare sesa në formën e një likeri. Marketingu do të jetë i kufizuar kryesisht për të ofruar informacione faktike rreth produktit, si emrin e tij, përbërësit e tij dhe lloji i marijuanës që përdoret. Kryesisht ligji synon të mbrohet konsumatori dhe jo të promovohet tregtia e saj.

Një prodhues mjekësor i marihuanës në Nanaimo, British Columbia, tha se kompania e tij do të kërkonte që prodhuesve të lejohej të zhvillonin markat përmes paketimit të veçantë, pasi në të kundërt do të konkurrohej vetëm ndërmjet çmimit dhe fuqisë.

Debat ka hapur edhe kufiri i moshës. Përkundër ndalimit që qeveria i bën përdorimit (mbi moshën 18 vjeç) doktorët ndahen, për disa kufiri ideal moshor do të qe 25 dhe për të tjerë do të ish 21 vjeç.

Ligji përfshin dënime të ashpra penale për njerëzit që shesin ose japin marijuanë për të miturit ose që krijojnë produkte të kanabisit që u bëjnë thirrje fëmijëve apo adoleshentëve për përdorim.

Kryeministri kanadez e ka kuptuar që është më mirë që ta legalizosh se sa ta luftosh kanabisin. Në Shqipëri kultivimi i tij ka marrë dhenë dhe lufta kundër tij është kthyer në një kauzë të opozitës e cila kërkon dorëheqjen e qeverisë. Nuk vihet në dyshim që kjo luftë kërkon fonde më të mëdha se sa ndërgjegjësimi për mospërdorimin e tij.

Kur do të vijë koha që politika të fokusohet në qëllime të tjera që do e përmirësonin me të vërtetë jetën e shqiptarëve? Kur do të vijë koha që policët të mos jenë më kositës apo gjurmues dhe gjetës hashashi? Kur do të vijë koha që edhe burgjet tona të boshatisen ashtu siç ndodhi në Hollamdë? Sa shumë pyetje që fillojnë më fjalën “KUR”. Ndoshta KURRË, sepse politika jonë ka të tjera prioritete dhe qytetarët kanë të tjera.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?