Kryeministri kanadez rikthehet në punë, del nga shtëpia pas 14 ditësh karantinë
Kryeministri kanadez Justin Trudeau është rikthyer sot në punë, pasi prej 12 marsit qëndronte në shtëpi i izoluar.
Ai u udhëzua të karantinohej për 14 ditë sepse gruaja e tij Sophie u infektua me koronavirus, e cila tashmë është shëruar. Ndonëse i izoluar, kryeministri vijonte punën e tij nga shtëpia.
Ndërkaq, ai do të vazhdojë të punojë kryesisht nga shtëpia, por është shprehur se do të marrë pjesë në mbledhjet e qeverisë nëse mendon se është e rëndësishme.
Takimi i tij sot me kabinetin e qeverisë do të trajtojë “hapat e radhës” në planin e qeverisë për të luftuar përhapjen e koronavirusit dhe për të lehtësuar efektet e tij ekonomike.
Trudeau thotë se shpreson që Parlamenti të fillojë mbledhjen në mënyrë virtuale, në mënyrë që deputetët, familjet e të cilëve nuk jetojnë në rajon, të mund të marrin pjesë.
Puna e Parlamentit është pezulluar, përveç seancave të shkurtra për të miratuar legjislacionin e urgjencës, që prej fillimit të krizës së koronavirusit.