Kryeministri Zoran Zaev: BDI-ja e mbylli agjendën etnike
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev të dielën ka shprehur “kënaqësinë që Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) mbylli agjendën etnike dhe tani është përqendruar te qytetari, me agjendën e saj të gjelbër”.
Të shtunën BDI-ja, parti kjo që ka trashëguar ish-Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, njoftoi se agjenda e gjelbër do të jetë shtylla kryesore e programit të saj partiak. “Mjaft më me fjalët shqiptarë, maqedonas, serbë, turq, vlleh. Ne kemi qytetarë në vend. Unë dua ta mirëpres atë sepse është një hap përpara, veçanërisht kur vjen nga partia më e madhe në pushtet në bllokun politik shqiptar. Është shumë e rëndësishme kur politikanët dalin në publik dhe japin fjalën e tyre. Kjo do të thotë zotim dhe detyrim për ta zbatuar atë në praktikë. Këtë e mendoj për Lidhjen Social Demokrate (LSDM), por edhe për BDI-në dhe të gjitha partitë e tjera politike”, ka deklaruar Zaev.
Ai theksoi se qytetarët presin nga LSDM-ja dhe BDI-ja, por edhe nga Lëvizja Besa, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe të gjitha partitë të tjera që janë pjesë e koalicionit qeveritar, që në të ardhmen të punojnë për forcimin e të drejtave të punëtorëve, të punojnë për agjendën e gjelbër, mbrojtjen e mjedisit si dhe zhvillimin e ekonomisë.
Gjatë shënimit të 19-vjetorit të formimit të BDI-së, kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti tha se agjenda e gjelbër si shtyllë kryesore vjen pas realizimit të agjendës së Marrëveshjes së Ohrit, për të drejtat e shqiptarëve. “Ne kemi vendosur barazi përmes zbatimit të plotë të Marrëveshjes së paqes të Ohrit, legalizimit të arsimit të lartë në gjuhën shqipe, decentralizimit, simboleve dhe kulturës kombëtare, gjuhës shqipe, përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, integrimit në NATO, duke marrë dritën jeshile për anëtarësimin në BE”, deklaroi të shtunën kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Opozita shqiptare ka akuzuar BDI-në se po heq dorë nga të drejtat e shqiptarëve, që sipas saj ende nuk janë realizuar. “Një parti e dalë nga lufta, që nga emblema kuq e zi, kaloi në ngjyrë të kaltër, po tenton të mashtrojë qytetarët, dhe në veçanti shqiptarët, me ngjyrën e gjelbër. Ende pa zgjidhur problemet kombëtare apo tematike siç pretendojnë t’i quajnë ata, sot thanë se do të merren me punë të gjelbra”, ka deklaruar zëdhënësi i partisë opozitare, Aleancës për Shqiptarët, Flakron Bexheti.