Kthehet qetësia në Tuz, Gjeloshaj njofton lirimin e të arrestuarve dhe merr përsipër gjobat: Malësinë nuk mund ta përulë askush!

Një ditë pas tensioneve të krijuara nga policia, në komunën shqiptare të Tuzit në Mal të Zi ka rënë qetësia. Kreu i kësaj komune, Nik Gjeloshaj, përmes një njoftimi në facebook thotë se të gjithë qytetarët e arrestuar dje janë liruar.

“Është dëshmuar në çdo kohë se me popullin tonë, mund të arrihen marrëveshje në forma njerëzore. Si dëshmia më e mirë e zgjidhjes së problemeve përmes dialogut është situata e sotshme në Tuz. Gjatë gjithë kohës, ne kemi bërë thirrje për dialog, nga e cili do të dilnin të kënaqura të dyja palët” thotë ai.

Kryekomunari i Tuzit thotë se pret nga zv/Kryeministri Abazoviq dhe Ministrja e Shëndetësisë Boroviniq Bojoviq të mbajnë fjalën e dhënë, pasi ata janë duke e zbatuar zotimin e tyre.

Nga ana tjetër ai informon qytetarët dhe pronarët e objekteve të gastronomisë, se Komuna e Tuzit, do të bëjë pagesën e gjobave eventuale.

“Gjithashtu, të gjitha subjektet gastronomike do të kenë ndihmë financiare. Ne gjithmonë do të mbështesim bizneset tanë, jo vetëm gastronominë, por ato në përgjithësi, në mënyrë që Komunës sonë t’i japim drejtimin dhe përkrahjen më të mirë drejt zhvillimit ekonomik. Këtë do ta dëshmojmë me vepra, ku së shpejti do të informoheni lidhur me dy projekte, të cilat do të jenë projektet e shekullit për Komunën tonë, për sa i takon zhvillimit ekonomik.

Motivim dhe kënaqësi edhe më të madhe për të vazhduar akoma më fuqishëm punën për zhvillimin e Komunës sonë, na jep mbështetja e madhe që përjetuam dje dhe sot nga të gjithë qytetarët e Malësisë dhe diasporës sonë! Së bashku do të jemi shembull edhe i zhvillimit ekonomik, por përherë do të dëshmojmë se këtë vend nuk mund ta përulë askush. Faleminderit nga zemra qytetarëve tanë, diasporës dhe miqve në përkrahje dhe mirëkuptim” përfund Gjeloshaj.

SHKARKO APP