Kthesë e papritur, Kim Jong-un i “përulet” presidentit të SHBA

Presidenti amerikan, Donald Trump thotë se udhëheqësi koreano-verior Kim Jong Un ka ofruar “një ndjesë të vogël” për provën me raketa me rreze të shkurtër veprimi dhe se premtoi të ndalte hedhjen e tyre, sapo të përfundojnë stërvitjet ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut.

Presidenti Trump thotë se ndjesa ishte përfshirë në një letër personale nga Kim, që shtonte se ai do të donte “të takoheshin dhe të fillonin negociatat” pasi të përfundonin stërvitjet ushtarake.

“Ishte një letër e gjatë, kryesisht me ankesa për stërvitjet qesharake dhe të shtrenjta, shkruante presidenti Trump në Twitter. Ishte gjithashtu një ndjesë e vogël për provat me raketa me rreze të shkurtër veprimi, dhe se provat do të ndaleshin kur të përfundonin stërvitjet”.

Stërvitjet filluan të hënën dhe pritet të mbarojnë më 20 gusht.

“Unë pres me padurim të takohem me Kim Jong Unin në të ardhmen jo shumë të largët! Një Kore e Veriut pa armë bërthamore, do ta bëjë atë një nga vendet më të suksesshme në botë!”, shtoi Presidenti Trump.

Komentet në Twitter vijnë disa orë pasi Koreja e Veriut lëshoi përsëri raketa balistike në det, në bregun lindor të vendit, prova e pestë e këtij lloji në dy javët e fundit dhe e shtata që nga maji.

Presidenti Trump tha se nuk ka “ndonjë problem” me hedhjen e tyre, përderisa janë me rreze të shkurtër. Lëshimi i tyre shkel rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që ia ndalojnë Koresë së Veriut çdo aktivitet me raketa balistike. Zyrtarë koreano-jugorë dhe të Shteteve të Bashkuara thonë se prova dukej të ishte bërë me një raketë balistime me rreze të shkurtër veprimi, sipas Shtëpisë Blu të presidencës koreano-jugore.

Raketay e lëshuara nga një zonë në Lindje të Koresë së Veriut, përshkuan 400 kilometra dhe arritën një lartësi prej 48 kilometrash, sipas një deklarate të Shtabit të Përgjithshëm koreano-jugor. Në deklaratën koreano-jugore thuhet se ekziston një mundësi e madhe që të hidhen raketa të tjera javët e ardhshme, për shkak të stërvitjeve të përbashkëta mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut/VOA

SHKARKO APP