Kufiri që ndan kishën e fshatit nga varrezat, rëndësia jetike e Brexit (VIDEO)
Vija gjarpëruese që ndan ishullin e Irlandës është një prej arsyeve kryesore pse largimi i Britanisë nga Bashkimi Europian ka qenë kaq i tensionuar. Videot e mëposhtme shpjegojnë në detaje çfarë mund të ndodhë nëse ka një Brexit pa marrëveshje, çfarë ndikimi do të ketë në jetët e qytetarëve irlandezë që jetojnë në të dy anët e një kufiri, i cili deri tani, prej më shumë se 20 vitesh, ishte shndërruar në imagjinar.
Mes Irlandës dhe Irlandës së Veriut ka një kufi tokësor prej gati 500 kilometrash. Thuajse i gjithi kalon në zona rurale, mes rrëkeve e lumenjve, duke kaluar mes përmes fermave, liqeneve dhe shtigjeve. Ky kufi, gjithsesi përfaqëson shekuj të tërë me konflikte. Pas ndarjes së ishullit të Irlandës në vitin 1921, për dekada vendi u përfshi në lufta dhe viktimat ishin të shumta.
Pas Brexit, ky kufi do të jetë ndarja e vetme tokësore mes Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kjo mund të bëjë që Republika e Irlandës dhe Irlanda e Veriut të kenë rregulla të ndryshme doganore. Nëse Mbretëria e Bashkuar largohet nga BE pa marrëveshje, mund të rikthehen pikat e kontrollit të rreptë kufitar e doganor. Në total, mes dy shteteve ka 208 pika kalimi. Disa prej tyre janë autostrada, disa rrugë fshati, disa pika administrohen nga privati në një anë dhe nga shteti në anën tjetër. Madje ka disa rrugë kalojnë kufirin disa herë.
Me shqetësim shihet se si Brexit do të ndikojë në Marrëveshjen e të Premtes së Zezë (Good Friday Agreement) e cila ndihmoi në përfundimin e konfliktit që zgjaste prej dekadash. Ata që jetojnë pranë kufirit kanë kaluar shumë vështirësi, por mbetet frika se si do të ndikojë rikthimi i kontrolleve kufitare në stabilitetin e Irlandës së Veriut.