Kulla Eiffel do të mbrohet nga një barrierë xhami me vlerë 20 mln dollarë
Kulla Eiffel së shpejti do të mbrohet nga një barrierë anti-plumb prej xhami. Autoritetet pariziene dhe menaxherët e kullës do të shtojnë masat e sigurisë rreth pikës ikonë të qytetit që shpesh është bërë pjesë e alarmeve të sigurisë. Puna për projektin do të fillojë më vonë gjatë vitit dhe pritet të ketë një kosto prej 20 milionë eurosh.
Një mur anti-plumb prej xhami do të ndërtohet së shpejti rreth Kullës Eiffel. Lajmi u bë i ditur nga menaxherët e pikës ikonike dhe zyrtarët e qytetit të Parisit.
Kulla 324 metra e lartë, që çdo vit tërheq rreth 7 milionë vizitorë, është tashmë e rrethuar me një gardh mbrojtës metalik rreth bazës së saj, i ngritur përkohësisht që gjatë periudhës kur luhej Kampionatit Europian i Futbollit në vitin 2016.
Sipas zyrës së Kryebashkiakes, Anne Hidalgo, puna për barrierën e re do të fillojë më vonë gjatë këtij viti.
Ndërkohë, e përditshmja franceze ‘Le Parisien’ bën të ditur se kostoja e këtij projekti do të arrijë rreth 20 milionë euro. Disa turistë e pritën lajmin me pozitivitet.
“Nga pikëpamja estetike, nuk mendoj se do të jetë shumë e bukur. Por për sigurinë, është një ide e mirë,” thotë turistja armene Varduhi Margaryan.
Të tjerë shprehen më skeptikë nëse masa e re e sigurisë do të ndalojë një agresor të vendosur.
“Nëse dikush është i vendosur për të sulmuar, ai do ta bëjë sido që të jenë kushtet. Prandaj nuk mendoj se barriera e re do të ndihmojë. Mund ta gjesh veten pas murit dhe nëse personi vendos diçka në krahun tjetër – edhe ti mund të goditesh,” thotë një turiste franceze nga Lugina e Luarës.
Pika ikonë e Parisit ka qenë shpesh në qendër të alarmeve të sigurisë. Vetëm në fillim të këtij muaji, një njeri i paarmatosur u arrestua pas një alarmi për sulm.
KOHA JONË SONDAZH

