Kush do të fitonte nga rizgjedhja e Trump? Britania apo BE-ja?
Kur Presidenti aktual i SHBA-së, Donald Trump shkoi për vizitë, Britania i shtroi tapetin e kuq. Mes palëve pati buzëqeshje, por dikush shtrëngoi edhe dhëmbët. Ndryshe nga shumë vende të Evropës, Mbretëria e Bashkuar mund të përfitojë nga 4 vite të tjera të Trump. Ai ishte një tifoz i Brexit, e shpalli BE-në “armike” dhe mbështeti hapur Boris Johnson.
Në një kohë kur çmimi i madh i Brexit është marrëveshja tregtare me Amerikën, Londrën e ndihmon të pasurit një mik në Shtëpinë e Bardhë. “Sa herë që shkoj në Uashington takoj politikanë nga të gjitha palët, ndaj jam besimplotë se marrëdhëniet do të jenë të mira dhe se një marrëveshje fantastike për tregtinë e lirë na pret. Deri tani është bërë shumë progres”, thotw Dominic Raab, ministër i Jashtëm i Britanisë.
Pushteti për të aprovuar një marrëveshje i mbetet Kongresit, ku demokratët kanë kontrollin e dhomës së ulët. Të dy kandidatët kanë lidhje të ngushta me Irlandën, sidomos Biden, kushërinjtë e të cilit janë lutur që ai të fitojë. Çështja delikate e kufirit në Irlandë dhe kërcënimi i Britanisë për të mohuar marrëveshjen që e mban të hapur, mund të errësojë ëndrrat e saj. Në shtator, Biden paralajmëroi se çdo akord tregtar duhet të bazohet në parandalimin e kthimit të një kufiri të fortë.
E ashtuquajtura “marrëdhënie speciale” shkon përtej Brexit. Historikisht, Britania është aleati më i ngushtë i Amerikës në Evropë. Ndaj Uashingtoni mund të mbështetet tek Londra, kur mbështetja nga Parisi dhe Berlini nuk është e sigurt.