Kush do të jetë kryeministri i ri i Britanisë?
Votuesit britanikë zgjedhin të enjten qeverinë e re – për herë të dytë që kur Mbretëria e Bashkuar votoi për Brexit-in, apo daljen nga Bashkimi Evropian.
Gjatë fushatës, Brexit-i pashmangshëm ka qenë lart në agjendë dhe kryeministri aktual, Boris Johnson, është zotuar se do ta përfundojë.
Procesi është zvarritur me vite për shkak të mospajtimeve të thella politike mbi kushtet e divorcit. Ende nuk dihet saktë se kur do të ndodhë, edhe pse 31 janari është caktuar si datë e mundshme.
Udhëheqësi i Partisë opozitare Laburiste, Jeremy Corbyn, nuk pajtohet me qëndrimin e Johnsonit se Brexit-i duhet të kryhet me ose pa marrëveshje.
Dhe ai, në qendër të fushatës së tij ka pasur kujdesin shëndetësor. Corbyn e ka portretizuar veten si mbrojtës të Shërbimit Kombëtar të Shëndetit dhe është zotuar se do të rrisë shpenzimet për të.
Me këto vizione krejt të ndryshme për të ardhmen, të paraqitura nga liderët e dy partive kryesore politike dhe disa parti më të vogla – që po ashtu luajnë role potencialisht vendimtare – këto janë ato që duhen ditur për zgjedhjet në Britani:
Si funksionon votimi?
Votuesit zgjedhin një përfaqësues nga qarku i tyre lokal. Në total, 650 ligjvënës – një nga secili qark – do të zgjidhen anëtarë të Parlamentit, i cili vendos për ligjet dhe politikat e vendit.
Zgjedhjet mbahen zakonisht çdo katër ose pesë vjet, por Parlamenti mund të votojë për mbajtjen e tyre sa herë që dëshiron. Këto janë të tretat nga viti 2015.
Kutitë e votimit hapen në orën 7:00, sipas kohës lokale, dhe mbyllen në 22:00. Exit pollet e para të besueshme dalin shumë shpejt, ndërsa për rezultatet zyrtare secila votë duhet numëruar me dorë.
Partia Konservatore (e Johnsonit) dhe ajo Laburiste janë më të mëdhatë, ndërsa në garë janë edhe disa parti më të vogla.
Nëse njëra parti fiton më shumë se gjysmën e vendeve në Parlament, ajo do të formojë qeverinë dhe lideri i saj do të bëhet kryeministër.
Për dekada, qeveritë e tilla të shumicës ishin rezultati më i zakonshëm. Por, kjo ka ndodhur vetëm një herë në tri palë zgjedhjet e kaluara.
Dy rastet e tjera kanë prodhuar “parlamente të varura”, me asnjë parti mjaftueshëm të fuqishme sa për të qeverisur e vetme. Në të tilla raste, partia më e madhe zakonisht ka mundësinë e parë për të mbledhur shumicën parlamentare dhe për të formuar qeverinë.
Çfarë ka ndodhur herën e kaluar?
Kur kryeministrja Theresa May i ka thirrur zgjedhjet e përgjithshme më 2017, sondazhet e opinionit i kanë dhënë Partisë së saj Konservatore një përparësi prej së paku 20% kundrejt opozitës laburiste.
May, me anë të zgjedhjeve, ka bërë përpjekje të zgjerojë shumicën parlamentare të partisë së saj – të fituar në vitin 2015 – me shpresën se do të siguronte marrëveshjen për Brexit.
Por, gjërat nuk kanë shkuar sipas planeve.
May ka pësuar humbje poshtëruese. Partia e saj Konservatore ka humbur shumicën dhe është detyruar të mbështetet në dhjetë votat e Partisë së Bashkuar Demokratike, për të ruajtur kontrollin me një qeveri të pakicës.
Partisë Laburiste, ndërkaq, mbështetja i është rritur ndjeshëm, me 32 ulëse.
Cilat janë gjasat këtë herë?
Sondazhet kombëtare tregojnë se Partia Konservatore ka përparësi të qartë.
Kështu ka treguar edhe një anketë e kryer nga kompania e respektuar, YouGov, megjithëse analistët paralajmërojnë se të gjitha këto janë me rrezik.
Sipas një studimi të Shoqatës për Studime Politike në Mbretërinë e Bashkuar, Partia Konservatore do të mbetet më e madhja, por ka skepticizëm ndaj sondazheve që sugjerojnë se ajo do të ketë shumicë të qartë.
“Ky parashikim i kujdesshëm për asnjë mazhorancë pasqyron mësimet e marra nga viti 2017, kur parlamenti i varur ka befasuar shumëkë”, ka thënë Joe Greenwood, nga Shkolla Ekonomike në Londër.
Qytetarët që duan të qëndrojnë në Bashkimin Evropian, janë të ndarë midis disa partive, ndërsa ata pro Brexit-it duket se janë të bashkuar kryesisht pas Konservatorëve./rel