Kushner dhe Witkoff mbërrijnë në Berlin për bisedimet mbi Ukrainën
I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, mbërritën sot në Berlin për të kryesuar një delegacion amerikan në bisedimet për një armëpushim në Ukrainë.
Ndërkohë, në ndërtesën e qeverisë gjermane mbërriti një delegacion ukrainas, ku merr pjesë edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov, për bisedime në lidhje me paqen në Ukrainë.
]Umerov, kryenegociatori i presidentit Volodymyr Zelensky dhe kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, udhëtoi së bashku me Gunter Sautter, këshilltarin për politikë të jashtme të kancelarit Friedrich Merz, drejt hotelit ku është akomoduar delegacioni amerikan.
Bisedimet pritet të zhvillohen mes delegacionit amerikan, përfaqësuesve ukrainas dhe atyre të fuqive kryesore evropiane. Diskutimet paraprake do të mbahen në nivel këshilltarësh dhe pas dyerve të mbyllura.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka konfirmuar se do të udhëtojë drejt Berlinit. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, njoftoi të premten se Zelensky do të takohet nesër me kancelarin Friedrich Merz të hënën.
Duke folur për gazetarët ukrainas, Zelensky tha se ende nuk ka marrë një reagim nga Shtetet e Bashkuara për propozimet e tij më të fundit lidhur me ndryshime në planin e paqes të presidentit Donald Trump. Ai pranoi se një plan paqeje nuk do t’i kënaqë të gjitha palët, por theksoi se Ukraina ndodhet në një pozicion të fortë negociues.
Zelensky iu referua edhe garancive të sigurisë për Ukrainën, duke pasur parasysh se jo të gjitha palët mbështesin anëtarësimin e vendit në NATO.
Në Berlin ka mbërritur gjithashtu gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, komandanti më i lartë i NATO-s në Evropë.
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

