Lajçak takon Presidentin serb, takimi Kurti-Vuçiç më 18 Mars në Ohër
”Formimi i asociacionit te komunave me shumicë serbe është parakusht për normalizimin e marrëdhënieve si edhe për sigurinë dhe mbrojtjen e të drejtave të popullsisë serbe në Kosovë”, tha presidenti Aleksandër Vuçiç pas takimit me përfaqësuesin special të BE Miroslav Lajcak.
Njoftimi erdhi pas takimit që ky i fundit zhvilloi me Vuçiç në Beograd për të diskutuar mbi propozimin evropian dhe hapat e tjerë të nevojshëm për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Vuçiç tha se Serbia po punon në mënyrë të përgjegjshme dhe është e përkushtuar të negociojë për të arritur zgjidhje kompromisi dhe të qëndrueshme për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët, që momentalisht kanë të drejta të kufizuara.
Më tej, presidenti serb iu drejtua rrjetit social Instagram për të thënë se biseda ishte e vështirë dhe kuptimplotë, ndërsa do vazhdojë gjatë mbrëmjes, por edhe të nesërmen, duke nënkuptuar se diplomati sllovak do të qëndrojë edhe për një ditë tjetër.
Lajcak vajti në Beograd, pas takimit që pati në Prishtinë, në kuadër të parapërgatitjes për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë që do të zhvillohet në Ohër më 18 mars.
Në takimin e zhvilluar me Kurtin në 9 mars, Lajcak u shpreh se kishin bërë një bisedë të rëndësishme dhe konstruktive. Edhe njëherë ai bëri thirrje nga Prishtina se implementimi i asociacionit duhet të firmoset në mënyrë që marrëdhëniet të fillojnë normalizimin. Kryeministri Kurti përpara gazetarëve tha se Lajcak i ka propozuar 15 modele për formimin e asociacionit që po shqyrtohen nga kabineti i tij.