Lajm i mirë/ Australia nis testimin e vaksinës kundër COVID-19 te njerëzit

Testet e para në njerëz të një vaksine të mundshme për coronavirusin kanë filluar në Australi.

Dhe siç bëhet e ditur, 131 persona të moshës midis 18-59 vjeç janë bërë pjesë e programit të testimit në Melbourne dhe Brisbane.

Vaksina e mundshme, NVX-CoV2373, është duke u zhvilluar nga kompania amerikane bioteknike Novavax.

Ajo filloi të punojë për këtë në janar, kur filloi shpërthimi i COVID-19 në Kinë.

Substanca synon të forcojë reagimin imunitar të trupit dhe të stimulojë nivele të larta të antitrupave neutralizues.

Nëse vaksina funksionon, studiuesit shpresojnë se 100 milionë doza mund të bëhen gati deri në fund të këtij viti dhe 1.5 miliard vitin e ardhshëm.

Studiuesit thonë se “vaksinat janë një mrekulli dhe mbrojnë shkëlqyeshëm popullsinë kundër këtyre sëmundjeve të rënda”.

Dr. Paul Griffin është një ekspert i sëmundjeve infektive i cili. Ai shpreson se ilaçi do të sulmojë me sukses virusin dhe do të jetë gati për t’u përdorur brenda disa muajve.

“Ne studiojmë antitrupat, llojin dhe numrin e antitrupave, dhe pastaj marrim disa gjëra nga subjektet përmes testeve të gjakut dhe bëjmë shumë eksperimente laboratorike për të treguar se e neutralizon virusin. Kompania që prodhon vaksinën tashmë ka filluar procesin e shtimit të kapacitetit, kështu që ata tashmë po bëjnë shumë doza të kësaj vaksine. Pra, nëse mund të vërtetojmë se është e sigurt dhe efektive, atëherë, potencialisht, deri në fund të vitit do të ketë një numër të konsiderueshëm dozash në dispozicion“, tha zoti Griffin.

Autoritetet australiane thonë se testimi është një hap i rëndësishëm përpara në garën globale për një vaksinë të coronavirusit.

Disa pjesëmarrës do të marrin placebo, ndërsa të tjerë ilaçin e Novavax.

Rezultatet e hershme priten në korrik, dhe shkencëtarët mendojnë se do të kenë “rezultate përfundimtare deri në fund të këtij viti”.

Testimet e fazës së dytë do të zhvillohen me mijëra vullnetarë në disa vende.

Novavax ka marrë 388 milionë dollarë nga Koalicioni me seli në Norvegji për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike.

Ka më shumë se 100 vaksina të mundshme të coronavirusit në procesin e zhvillimit, dhe rreth dymbëdhjetë prej tyre kanë kaluar në fazën e testimit në njerëz.

Është një garë globale me vlerë ndoshta prej miliarda dollarësh për ata që mund të gjejnë një trajtim të sigurt dhe të besueshëm për virusin që ka vrarë pothuajse 350 mijë njerëz në të gjithë botën.

SHKARKO APP