Largohet një tjetër këshilltar i Trump, ish-gratë e akuzojnë për dhunë
Njëri prej ndihmësve më të lartë të presidentit amerikan Donald Trump ka dhënë dorëheqjen pas pretendimeve për abuzime nga dy ish-bashkëshortët e tij.
Sekretari i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Rob Porter, nuk i pranon akuzat duke i cilësuar si fyese dhe krejtësisht të pavërteta, por sërish njoftoi se kishte vendosur të largohej.
Akuzat e raportuara më së pari nga Daily Mail përfshinin dëshmitë për abuzim fizik dhe psikologjik.
Shtëpia e Bardhë nuk komentoi mbi raportin se 40 vjeçari Porter, nuk arriti të merrte shfajësimin pasi FBI-ja intervistoi dy ish-gratë e tij, Colbie Holderness dhe Jennifer Willoughby, të cilat tregojnë histori të ngjashme sjelljeje të vrazhdë e abuzimi si verbal, ashtu edhe fizik.
Bashkëshortja e tij e parë, Holderness, thotë se këshilltari i Shtëpisë së Bardhë e kishte goditur në 2003-shin kur ishin në muaj mjalti në ishujt Kanarie e disa vjet më vonë e kishte qëlluar me grusht në fytyrë, ndërsa kalonin pushimet në Firence të Italisë.
Ajo ka postuar edhe një foto ku shihet me syrin e nxirë. Willoughby ka qenë e martuar me Porterin nga viti 2009 deri në 2013.
Fjalët e pista do të fillonin që në muajin e tyre të mjaltit dhe nuk do të kalonin veçse disa muaj e do të nisnin edhe abuzimet fizike.
Roli i Porterit në Shtëpinë e Bardhë përfshinte punën me presidentin dhe shefin e tij te stafit, John Kelly.


KOHA JONË SONDAZH

