“Ligji për shqipen, kushtetues”, reagon Presidenti Pendarovski

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka mbrojtur ligjin për përdorimin e gjuhëve për të cilin raporti i Komisionit të Venecias kishte vërejtje të shumta. Në fjalimin e fundvitit të Kuvend, ai tha se pavarësisht vërejtjeve, Komisioni i Venecias nuk kishte dalë me qëndrimin se ligji është antikushtetues dhe se dispozitat e tij madje janë më të larta se ato të konventave ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut.

Ai nënvizoi vështirësitë që mund të rezultojnë në zbatimin e tij në praktikë, sidomos në gjyqësor, e kjo ishte dhe një nga vërejtjet kryesore të Komisionit të Venecias. “Juristët e lartë evropianë me të drejtë thonë se shteti ynë në këtë moment nuk ka kapacitet dhe resurse që t’i zbatojë këto standarde në proceset gjyqësore dhe drejtuese.

Me fjalë të tjera, çfarë fitohet nga ligji nëse dispozitat e tij mbeten vetëm në letër”, ka deklaruar Pendarovski. Ai kritikoi edhe zhvillimet në gjyqësor duke kërkuar përgjegjësi për secilin që me pagë shtetërore ka arritur të bëhet milioner.

“Jemi shtet i pavarur prej gati tre dekadash, por ende asnjë politikan i lartë apo afarist i pasuruar brenda një nate nuk ka përfunduar prapa hekurave, në një kohë kur aty duhej të përfundonin më shumë se një. Perceptimi te qytetarët është se vetëm përgjegjësia rëndon vetëm mbi të varfërit dhe njerëzit që nuk kanë lidhje me pushtetin”, theksoi presidenti maqedonas.

SHKARKO APP