Lindje/ Perëndim – Turqi zgjedhjet, A është ky fillimi i fundit të Erdoganit?
Në zgjedhjet lokale të Turqisë të mbajtura të dielën në 31 mars, opozita, e bashkuar dhe e organizuar, e sfidoi fort Rexhep Tajip Erdoganin, që në perëndim, jo pak e shohin si autokrat. Pikërisht në kohën kur dukej se demokracia turke ishte ne grahmat e saj te fundit, votuesit i dhanë presidentit të tyre një shuplakë të fortë: rezultatet, edhe pse ende jo zyrtare, treguan se Erdoganin dhe partia e tij në pushtet AKP, humbën kontrollin e Ankarasë dhe Stambollit, zemra financiare e vendit dhe platforma e lëshimit të karrierës politike të kreut të shtetit.
“Kjo e sotmja është një ditë e madhe, sepse drejtësia triumfoi me fitoren në Ankara. Ne e meritojmë atë që morëm, sepse na e dha vota legjitime e banorëve të kryeqytetit. Fituesi sot është e gjithë Ankaraja, ndërsa humbësi është vetëm një, kandidati I AKP-së, Özhaseki”, tha Mansur Yavas, kandidat i opozitës në Ankara.
Votuesit pro-opozitarë e kishin të pamundur ta frenonin entuziazmin; shpresa e ndryshimit qe rrethon këtë fitore, dhe pritshmëritë e shtuara për të ardhmen, përçonin në dejet e tyre energji të reja.
“Turqia është një vend me njerëz të moralshëm, një vend I bukur që meriton shumë. Një jetë më e mirë na prêt; kjo është shpresa jonë, dashtë Zoti që të realizohet. Të gjithë, më të mirën synojmë”, thotë Begil Sarica, votues.
“Turqit do të ketë një të ardhme shumë të mirë. Do të përmirësohen gjërat për ne tani e tutje; do të jetojmë më mirë, shumë më mirë. U bë kohë që nuk kishte buzëqeshje në fytyrat tona, e as në ato të fëmijëve tanë. Por sot jemi mjaft të lumtur”, Saadet Yildiz, shprehet një votues.
Erdogani vetë nuk ishte në fletën e votimit, dhe partia e tij vazhdon të kontrollojë parlamentin, por zgjedhjet lokale përbënë humbjen më të thellë elektoralë për të gjatë dy dekadave që ka në pushtet. Edhe kur arriti të fitonte sërish vitin e kaluar, referendumi I 2017-tës i dha një epërsi tepër te ngushtë në vendosjen e autoritetit të ri mbi legjislaturën dhe gjyqësorin, duke nxjerrë në pah dobësimin e ndjeshëm të mbështetjes për kreun e shtetit. Kandidatët e opozitës e kthyen në kapital të tyre pakënaqësinë në rritje ndaj represionit të vazhdueshëm dhe keqmenaxhimit ekonomik. Por rezultatet e 31 marsit përcollën dhe një mesazh tjetër mjaft të rëndësishëm: ato treguan se nëse opozita qëndron e bashkuar dhe ka një objektiv të qartë, nga gjemb në këmbë, mund të shndërrohet në sfidë të mirëfilltë për Erdoganin në zgjedhjet presidenciale të 2023-shit.
Kundërshtarja më e madhe e presidentit, Partia Republikane e Popullit dhe aleatët e saj premtuan ndryshim politik, hapjen e vendeve te reja të punës, arsim më të mirë dhe shërbime të përmirësuara sociale. Anëtarët e opozitës kanë mbikqyrur më kujdes procesin e votimit, e në disa raste madje, kanë fjetur pranë thasëve me vota të numëruara për tu siguruar që ato të mos manipuloheshin nga besnikët e Erdoganit.
Po kush është partia që iu kundërvu atij që the Times, e quan `Sulltani`? Partia Popullore Republikane u krijua ne 1923-shin a në vitin 1923 nga themeluesi i shtetit laik turk, Mustafa Kemal Atatürku. Ajo është partia e pare dhe e vjetër e vendit, madje deri vitin 1945 ajo madje ishte e vetmja parti në Turqi.
Profili i partisë bazohet në të ashtuquajturat “gjashtë shigjeta”, që përfaqësojnë edhe logon e saj.
-Republikanizmi
-Laicizmi
-Reformizmi (Modernizimi)
-Etatizmi
-Populizmi (Sovranitet i popullit/Demokraci)
-Nacionalizmi
Këto janë deri sot aspektet qendrore të “ideologjisë kemaliste”, të cilat CHP-ja kërkon t’i ruajë e t`i mbrojë.
Në këto zgjedhje, megjithatë e pati dhe një ndihmë. Partia popullore demokratike pro-kurde arriti të disiplinonte përpjekjet në qytetet e mëdha në mbështetje të kandidateve republikanë, duke kontribuar ndjeshëm në triumfin e CHP-se në Ankara e me shumë gjasë, edhe në atë të Stambollit, ku komisioni zgjedhor nxori fitues kandidatin e saj. por AKP-ja e kontestoi vendimin nën pretekstin e parregullsive në procesin e votimit. Kemi identifikuar shkelje dhe falsifikime, deklaroi shefi i AKP-së për Stambollin Bayram Senocak, që sqaroi se Partia për Drejtësi e Zhvillim ishte ankuar për parregullsi në te 39 zonat zgjedhore të qytetit. Kandidati i saj, ish kryeministri Binali Yildirim vazhdoi të ushqeje shpresa për një përmbysje të rezultatit.
“Rezultatet e dhjetëra kutive te votimit nuk janë zbardhur ende, për shkak te pretendimeve për parregullsi. Do ta uroj Imamollune nëse fiton, por jo pa përfunduar i gjithë procesi i numërimit”, tha Binali Yildirim, kandidat i AKPse, Stamboll .
Rivali megjithatë, urimin e priti që me dhënien e rezultatit të parë, ndërsa denoncoi dhe ai manipulime, por që vinin sipas tij, nga krahu tjetër.
“Unë di ta bëj një urim, ashtu siç di dhe të pres që të më urojnë. Numërimi ynë vazhdon sepse ka dhe një raund tjetër manipulimi. E ftoj Jilldirimin të tregohet i përgjegjshëm duke pasur parasysh që është një njeri i cili ka pasur për shumë vite një funksion shtetëror”, do të thoshte Ekrem Imamoglu, kandidati I CHP-së, Stamboll.
Stambolli është kthyer tashmë ne qytetin e dy realiteteve. Imamoglu deklaron se është ai kryetari I ri I bashkisë. Rezultatet paraprake zgjedhore e tregonin ne avantazh me të paktën 25 mijë vota. Por në mbarë qytetin, AKP-ja ka vendosur posterat e saj të fitores. Sundimtarët e Turqisë, për Imamoglune, nuk janë gjë tjetër veçse humbës të këqinj.
“Kjo nuk është një sjellje e bukur. Nxjerrin postera ndërkohë që ne kemi rezultatet e komisionit zgjedhor; të gjithë e dinë shumë mirë se kush është në krye”, tha Ekrem Imamoglu, kandidati I CHP-së, Stamboll.
Erdogani, duket, nuk është gati ta lëshojë Stambollin, fuqinë ekonomike te Turqisë dhe vendin e tij të lindjes, ku ka qenë dhe vetë dikur kryetar bashkie. Por çfarë thoshte deri dje AKP-ja e tij për sistemin zgjedhor, ndërkohë që sot ankohet për shkelje masive?
“Qeveria dhe partia në pushtet kanë pretenduar gjithmonë se Turqia ka sistemin më të besueshëm të votimit dhe për këtë, e lavdëronin shumë. Një milionë vetë kanë qenë në detyrë atë natë nëpër qendrat e votimit. Po të kishte pasur ndonjë aktivitet të dyshimtë, do ta kishin mbajtur shënim e do të bënin një raport me shkrim, kjo është procedura zyrtare këtu. Shpjegimi i vetëm i të gjithë situatës, ashtu siç e shoh unë, është se po kërkojnë thjesht të nxjerrin justifikime për dështimin e tyre”, tha Ekrem Imamoglu, kandidati I CHP-së, Stamboll.
Me inflacionin dy shifror dhe ekonominë në recesion, lideri turk i kishte cilësuar këto votime si një betejë të vendit për mbijetesë. Humbja në Stamboll, qyteti ku u rrit e që shërbeu si trampolinë për karrierën e tij politike, do të ishte një grusht i fortë për Erdoganin, i cili është përpjekur me të gjithë forcat të sigurohet në rrjedhën e viteve që askush të mos ia sfidoje pozitat: ka margjinalizuar rivalët, ka spastruar radhët e policisë, ushtrisë e gjyqësorit nga elemente që konsideroheshin kundërshtare, i ka mbytur zërin medias, e arriti ta shtrinte pushtetin e tij edhe mbi Kushtetutën. E megjithë këto, humbi Ankaranë e me shumë gjasë edhe Stambollin, në një termet politik qe ia lëkundi nga themelet dy dekada sundimi te pakontestueshem. Çfarë ndryshoi këtë herë?
“Mendoj se nuk arritën t`i manipulonin dot aq shumë zgjedhjet. Nuk e prisnin që ne të ishim aq të organizuar dhe te vendosur për ta mbrojtur votën”, tha Ilayda Kocoglu, CHP.
Pati sigurisht, edhe faktorw tw tjerw.
“Prosperiteti i Turqisë është trumpetuar prej kohësh si vepër e presidentit të saj. Tani që ekonomia po kontraktohet, papunësia është në rritje dhe shumë prej kritikëve të qeverise janë ose në burg, ose u është mbyllur goja, pakënaqësia është shtuar, se në fund të fundit, edhe këto vepra të Erdoganit janë”, thuhet në një poster.
Rezultati i zgjedhjeve nuk do të thotë se Erdogani, mandati i të cilit si president zgjat dhe katër vjet te tjera, do te ndryshoje sjelljen qe përfshin promovimin e vlerave fetare islamike mbi laizicizmin, marrëdhënie me te ngushta e të përzemërta me Rusinë apo një ngricë të relative me NATO-n. Por, në fund të ditës, ato treguan se ai e ka një pikë të dobët.
“Kjo është një katastrofë për të. Ne tani e dimë, se nuk është i pathyeshëm”, thotë Asli Aydintasbas, a senior felloë at the European Council on Foreign Relations.
Ekonomia e dobësuar turke, e cila qe zgjeruar me shpejtësi gjatë viteve të Erdoganit në drejtimin e vendit, rezulton të ketë qenë shqetësimi numër një i votuesve, pavarësisht përpjekjeve të kreut të shtetit për të treguar se problemet kanë ardhur nga jashtë, e nuk janë pasojë e politikave të tij.
“Ajo që po ndodh sot në ekonominë tonë nuk është një krizë, është një manipulim. Sulme të tilla, burimin e kanë jashtë kufijve të vendit. Por ditë të tilla do të kalojnë, të jeni të sigurtë për këtë”, ka thënë Erdogani.
Në muajin mars, vendi rrëshqiti në recesion; papunësia kaloi 10 përqindët duke kapur shifrën e 30% vetëm në mesin e të rinjve; lira turke humbi 28% të vlerës në 2018-tën dhe e vazhdoi të tatëpjetën edhe këtë vit. Inflacioni nuk zbret nga 20%. Ne gusht, ai mbërriti nivelin më të lartë në 15 vjet.
“Po si mund të mos e ndjesh zhvlerësimin e lirës? Na duhet të shpenzojmë dy herë më shumë , ndërsa paratë që marrim janë po njësoj. Situata vetëm po përkeqësohet. Gjërat sa vijnë e vështirësohen”, Leyla Ates, pensioniste.
“Unë nuk paguhem në dollarë. Unë paguhem me monedhën vendase, dhe në vit marr një rritje prej vetëm 30 apo 40 lirash. Si mund ta përballojnë pensionistët këtë gjendje? Për hir të Zotit, ata që e drejtojnë këtë vend duhet të zgjodhen, e të shohin se cpo ndodh!!”, tha Erdogan Derisay, pensionist.
Dominimi i Erdoganit në Turqi i është atribuar deri diku jo vetëm talentit të tij të padiskutueshëm politik, por edhe dështimit të partisë kryesore opozitare për të prezantuar kandidatë të denjë dhe për ta shtrirë aktivitetin e saj. Simpatizantët e CHP-se shpeshherë e kanë pyetur veten përse drejtuesit e kësaj force politike dukej sikur praktikisht, ia dorëzonin vetë pushtetin Erdoganin zgjedhje pas zgjedhjesh. Këtë herë, opozita ishte më e vendosur, megjithatë ndikim të madh pati dhe fakti që në mbarë shoqërinë turke, e madje edhe brenda vetë partisë se presidentit, përkrahja për të, ka nisur të lëkundet. Kritike, përpos votave të kurdëve, ishin këtë radhë dhe ato të konservatorëvë të pakënaqur, që kanë vendosur ta braktisin Erdoganin.
“Me kalimin e viteve, Erdogani është bërë gjithmonë e më vetmitar, I rrethuar në pallatin e tij të madh presidencial nga një rreth përherë e më I ngushtë miqsh dhe ministrash”, shkruan New York Times.
Pavarësisht suksesit të saj, CHP-ja nuk duhet të gëzohet shumë: Erdogani nuk do të lërë gurë pa kthyer derisa t`i shohë gjërat e tij të vendosen në vijë, thotë analisti Erkan Arikan. Ai i sheh këto zgjedhje deri diku si sinjal te fillimit te fundit te qeverisjes se palëkundur të Erdoganit dhe mendon se nuk janë të vogla gjasat që lideri turk të emërojë vetë pasardhësin shumë përpara mbylljes së mandatit te tij. Hamendësime ka shumë, por një gjë është e sigurtë: rezultati vendimtar i këtyre zgjedhjeve lokale është se Presidenti Erdogan nuk është forcuar – përkundrazi. Reputacioni i tij ka pësuar një goditje të rëndë brenda Turqisë dhe, mbi të gjitha, në mesin e elektoratit të tij.
Nga Irida Vasia
Top Channel