Londër, shtohet varfëria nga COVID-19, shumë njerëz do vuajnë për ushqime
Qendrat e bamirësisë në Britaninë e Madhe po bëhen gati t’u shërbejnë mijëra britanikëve që pritet të humbasin burimet financiare nga pandemia.
Përpos njerëzve në nevojë dhe të moshuarve, çanta me ushqime po u shpërndahen tani edhe atyre që po gjenden papritur në kulmin e varfërisë.
“Ka për të pasur gjithnjë e më shumë njerëz që do kenë nevojë për ushqime. Njësia administrative është duke hapur tetë qendra të reja bamirësie, sepse po shtohen ata që kanë mbetur pa para,” thotë menaxherja e një qendre të tillë në Londër.
Mbyllja e shumicës së aktiviteteve ekonomike si pasojë e koronavirusit ka bërë që 1 në 20 britanikë të humbasin punën, ndërsa aplikimet për ndihma sociale kanë arritur në afro gjysmë milion këto ditë.
Një qytetar që deri para pak javësh punonte për një pikë bastesh, tregon se tani është pushuar nga puna duke u parapaguar vetëm tre muaj rrogë.
Me këtë pagesë ai rrezikon edhe shtëpinë me qira.
“Qiradhënësi do më mbajë për tre muaj dhe do më nxjerrë jashtë, sepse kush do t’ia dijë për koronavirusin. Të njëjtën situatë po hasin shumë njerëz që njoh. Qeveria duhet të na dërgojë ca para të paktën,” tregon banori i një lagjeje të varfër londineze.
Në Britaninë e Madhe raportohen rreth 30 mijë të infektuar me koronavirus dhe viktimat kanë arritur mbi 2,300.
Mes bartësve të infeksionit është edhe kryeministri i vendit, Boris Xhonson, në një vetëkarantinim 6-ditor.
“Kjo ishte një tjetër ditë e trishtë, me 563 raste të reja vdekjesh në një ditë të vetme. Por të mos ketë dyshime se po të ndjekim udhëzimet do i ulim numrat dhe do e kthejmë kursin e koronavirusit në pak javët dhe muajt e ardhshëm,” u shpreh Xhonson.
Autoritetet britanike thonë se situata në vend nuk është aq serioze sa në Spanjë, SHBA apo Itali dhe se furnizimi me pajisje mjekësore dhe testimet në terren do vijnë duke u rritur.