Los Anxheles, 1 mijë zjarrfikës në luftë me flakët në “La Tuna”
Mëse 1,000 zjarrfikës kanë mundur të shuajnë flakët që pushtuan qytetin e Los Anxhelesit gjatë fundjavës, por zyrtarët paralajmërojnë se rreziku ende nuk ka kaluar tërësisht. Zjarri është konsideruar si më i madhi në historinë e qytetit, ku është shpallur edhe gjendja e emergjencës nga Guvernatori i Kalifornisë. Fatmirësisht, autoritetet nuk kanë raportuar për viktima.
Reshjet e shiut dhe temperaturat më të ulëta kanë ndihmuar më shumë se 1,000 zjarrfikës në luftën e tyre kundër flakëve në Los Anxheles, teksa zjarri i rënë gjatë fundjavës që lamë pas është konsideruar si më i madhi në historinë e qytetit. Por pavarësisht epërsisë që zjarrfikësit fituan falë kushteve atmosferike, zyrtarët paralajmërojnë se ende ka rrezik që zjarret të rikthehen e të përhapen më tej.
Zjarri i La Tuna, i emëruar kështu sipas zonës së kanionit ku shpërtheu ditën e premte, u përhap në një hapësirë prej 2,400 hektarësh, duke detyruar evakuimin e 700 familjeve dhe duke shkaktuar dëme materiale.
Sipas autoriteteve, zjarri është më i madhi që ka prekur historinë e qytetit, bazuar në hapësirën e përhapjes së tij. Los Anxhelesi, shtëpi e 10 milionë personave, ka pësuar zjarre edhe më të mëdha që kanë vijuar të djegin për javë të tëra. Guvernatori i Kalifornisë Jerry Brown deklaroi një ditë më parë gjendjen e emergjencës për Los Anxhelesin, gjë që pritet të lehtësojë rrugën për ndihmë shtetërore dhe federale në luftën kundër flakëve.


KOHA JONË SONDAZH

