Lufta e spiunazhit e Rusisë në Ballkan
Nga Dimitar Bechev –
Kur në marsin e vitit 2018, bëri bujë lajmi se ish-agjenti i dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajza e tij Julia, mund të ishin helmuar me një agjent nervor të quajtur Noviçok, nga agjentët që punonin për shërbimin sekret ushtarak rus, GRU, tregtari bullgar i armëve Emilian Gebrev u alarmua.
Tre vjet më parë, në prillin e vitit 2015, ai ra për disa ditë në gjendje kome, pasi ishte helmuar me një substancë të panjohur. Edhe djali i tij, dhe një punonjës i kompanisë së tij, u sëmurën rëndë, dhe u mbajtën nën kujdesin intensiv të mjekëve.
Ndonëse autoritetet bullgare, çelën një hetim mbi këtë çështje, ai u mbyll në vitin 2016, për shkak se nuk pati ndonjë përparim thelbësor. Duke ndjerë se çështja “Skripal” ishte e ngjashme me atë që kaloi ai vetë, Gebrev i paralajmëroi autoritetet bullgare.
Ai besonte se ishte sulmuar për shkak të synimit të tij, për të blerë një aksione në një fabrikë bullgare armësh, dhe se agjentët ruse të GRU-së, të lidhur potencialisht me një konkurrent në biznes, ishin të përfshirë në helmimin e tij.
Por agjensitë bullgare të zbatimit të ligjit reaguan në mënyrë të mefshtë. Por kështu u veprua edhe me hetimin e zhvilluar nën drejtimin e Prokurorit të Përgjithshëm Sotir Cacarov, për të cilin u tha se kishte marrëdhënie të ngushta me homologun e tij rus, Juri Çaika.
Në dallim nga shumica e anëtarëve të tjerë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, Bullgaria refuzoi të dëbojë diplomatët rusë për çështjen “Skripal”.
“Zakonisht, raste të tilla nuk janë ato që duken në pamje të parë”- deklaroi në atë kohë në Bruksel, kryeministri bullgar Bojko Borisov. Por tashmë Sofja po ndryshon qasje. Më 23 janar 2020, prokuroria nën drejtimin e kryeprokurorit të ri të përgjithshëm, Ivan Geshev, akuzoi për tentativë vrasjeje 3 shtetas ruse, që besohet se ishin agjentë të GRU.
Një ditë më vonë, Ministria e Jashtme bullgare, urdhëroi largimin nga vendi të sekretarit të parë të ambasadës rusë në Sofje, si dhe një punonjës të zyrës së tregtisë. Bullgaria kishte dëbuar një diplomat tjetër rus në tetorin e vitit të shkuar.
Një raport i publikuar në nëntor 2019, nga portalet investigative “Bellingcat” dhe “The Insider”, pretendonte se një nga agjentët e GRU, që ishte i përfshirë në helmimin e Gebrev, ishte Sergej Fedotov (emri i vërtetë Denis Sergsev), dh ai koordinoi edhe skuadrën e atentatorëve në Salisbëri të Britanisë së Madhe.
Ai kishte rezervuar një dhomë në një hotel pranë zyrës së Gebrev, dhe ishte kapur nga kamerat e sigurisë, duke shëtitur në parkun aty pranë. Zbulimet mbi incidentin e vitit 2015, vijnë në kuadër të një vargu skandalesh spiunimi në Ballkan, që kanë përfshirë qytetarët rusë gjatë 5 viteve të fundit.
Nuk është ndonjë sekret fakti, që rajoni ka qenë prej kohësh një truall joshës për shërbimet e sigurisë së Kremlinit. Megjithëse Rusia nuk ka trupa në rajon, ajo ka zhvilluar një luftë kundër Perëndimit, dhe ka e zgjeruar me mjete të tjera ndikimin e saj në Ballkan – nga propaganda dhe dezinformimi, nga ndihma ndaj grupeve nacionaliste dhe të djathta, deri tek atentatet.
Në tetor 2016, autoritetet malazeze zbuluan një komplot të organizuar nga ultranacionalistët serbë dhe oficerët e sigurisë, për të rrëzuar qeverinë malazeze. Sipas prokurorëve, ata vepruan në bashkëpunim me 2 agjentë të GRU-së, Eduard Shirokov dhe Vladimir Popov. Që të dy këta të fundit, u dënuan në mungesë në majin e vitit 2019.
“Bellingcat” dhe “The Insider”, shkruajnë se “Popov” (emri i vërtetë Vladimir Moisev), e vizitoi shpesh Bullgarinë në vitin 2014, duke u përgatitur me gjasë për sulmin ndaj Emilian Gebrev. Agjentët rus, u përpoqën gjithashtu të sabotonin përpjekjet e Greqisë dhe Maqedonisë Veriore, për të zgjidhur mosmarrëveshjen e tyre të gjatë mbi emrin kësaj të fundit.
Në korrikun e vitit 2018, disa javë pasi u nënshkrua Marrëveshja e Prespës, që i dha zgjidhje konfliktit, Athina dëboi 2 diplomatët ruse, me akuzën e nxitjes së kundërshtimit të marrëveshjes në rajonet veriore të vendit. Kjo lëvizje ndodhi, përkundër faktit se kryeministri Aleksis Cipras, kishte refuzuar të bënte të njëjtën gjë ndaj çështjes “Skripal” 4 muaj më parë.
Njëkohësisht, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, denoncoi publikisht një biznesmen greko-rus, se kishte paguar me para nacionalistët sllavo-maqedonas për të sulmuar Marrëveshjen e Prespës. Spiunët rusë kanë shkaktuar probleme edhe në Serbi, një partnere e ngushtë e Moskës.
Në nëntor 2019, presidenti Aleksander Vuçiç akuzoi një ish-asistent ushtarak të ambasadës ruse për ryshfet ndaj një oficeri serb në pension, për të marrë prej tij informacione konfidenciale. Ai u detyrua të reagojë publikisht, kur një video e takimit në fjalë u postua në YouTube, dhe shkaktoi zemërim në mesin e qytetarëve serbë.
Mgjithatë skandalet e përsëritura të spiunëve, nuk kanë gjasa të dobësojnë lidhjet e ngushta të Rusisë me rajonin. Në përgjithësi, qeveritë ballkanike besojnë tek angazhimi, dhe muajt e fundit kanë treguar një gatishmëri të madhe për të pasur marrëdhënie të ngushta me Rusinë, pavarësisht incidenteve të spiunazhit.
Në shkurtin e vitit të shkuar, disa muaj para se të zgjidhej kryeministër i Greqisë, Kiriakos Micotaqis shkoi në Moskë, ku takoi një numër zyrtarësh të nivelit të lartë, dhe ku shprehu mbështetjen e tij për lidhje të ngushta me Rusinë.
Pastaj, në nëntor po të vitit të kaluar, Maqedonia e Veriut zhvilloi një forum të përbashkët biznesi me Rusinë, që drejtohej nga kryeministri maqedonas Zoran Zaev dhe zëvendësministri rus i industrisë dhe tregtisë, Aleksei Gruzdev. Ndërkaq në fillim të këtij viti, kryeministri bullgar Borisov dhe presidenti serb Vuçiç, ishin krah për krah presidentin rus Vladimir Putin në përurimin e ndërtimit të gaszjellësit “TurkStream” në Turqi.
Pra asnjë lider në rajon, nuk duket i interesuar të përdorë një retorikë të ashpër kundër Kremlinit. Në kushtet kur presidenti francez Emanuel Makron, po flet me zë të lartë për një përmirësim të raporteve diplomatike me Rusinë, dhe kur kancelarja gjermane Angela Merkel po e mbron projektin e gazsjellësit “Nordstream 2”, Ballkani nuk ka asnjë arsye që të acarojë marrëdhëniet e tij me Kremlinin.
E megjithatë, ka tashmë një reagim kundër Moskës nga agjensitë e sigurisë dhe zbatimit të ligjit. Rusia ka shkuar shumë larg në taktikat e saj shkatërruese, dhe me aktet e guximshme të GRU-së po bën shumë dëme.
Shtetet perëndimore, po inkurajojnë përpjekjet në rajon për t’i rezistuar infiltrimit rus. Operatorët e GRU-së, do të vazhdojnë me siguri të qarkullojnë nëpër Ballkan, por tashmë ata do të jenë në një monitorim më të rreptë.(“Al Jazeera” – Bota.al)