Lufta kundër COVID-19, Mitsotakis: Në fund të pranverës, kthehemi në normalitet
Kryeministri i Greqisë Mitsotakis deklaroi sot se parashikon që në fund të pranverës dhe në fillim të verës të ketë një kthim në një normalitet te pjesshëm. “Mund të parashikohet një kthim në normalitet deri në fund të pranverës, fillim të verës. Sigurisht që është shumë e rëndësishme për ne, pasi duam që njerëzit të udhëtojnë dhe të vijnë në Greqi, por duam që ata të vijnë të sigurt” tha ai.
Kyriakos Mitsotakis shpjegoi strategjinë e ndjekur nga qeveria që nga faza e parë e krizës shëndetësore. “Ajo që kam mësuar dhe ajo që është e qartë për mua është se duhet t’u besojmë ekspertëve dhe shkencëtarëve. Kjo është ajo që kemi bërë që nga fillimi. Ata folën. Ne i morëm vendimet në kohë” tha ai.
Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e qartësisë në komunikimin me qytetarët. “Sapo u shpjeguam qytetarëve saktësisht se cila ishte situata dhe u kërkuam mbështetjen e tyre, shumica, nëse jo të gjithë, ishin të disiplinuar. Në Greqi numri i qytetarëve që kundërshtojnë maskat dhe vaksinat është i vogël”.
Duke iu referuar fushatës së vaksinimit, Mitsotakis theksoi “ne do të bëjmë presion ndaj kompanive që të respektojnë kushtet e kontratave dhe të dorëzojnë vaksinat më shpejt“
/ Abcnews.al