Lufta në Jemen, Pompeo: Do t’i shpallim organizatë terroriste rebelët Huthi

Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara do t’i shpallin rebelët huthi të Jemenit si grup terrorist.

Pompeo tha se rebelët huthi kanë kryer fushata ushtarake që kanë “lënë të vdekur shumë persona, teksa janë faktor destabiliteti për rajonin dhe u mohojnë banorëve të Jemenit që të kenë zgjidhje paqësore në konfliktin e shtetit të tyre”.

Shpallja grup terrorist pritet të bëjë përgjegjës Ansar Allahun për veprimet e tij terroriste, duke përfshirë sulmet kufitare që kërcënojnë popullsinë civile, infrastrukturën dhe dërgesat tregtare”, tha sekretari amerikan i Shtetit.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare kanë paralajmëruar se shpallja e rebelëve huthi si terroristë do të rrezikojë ndihmat humanitare për 80 për qind të banorëve të Jemenit, një prej shteteve më të varfër në botën arabe.

Vendi është përfshirë në luftë civile nga viti 2015, ku kanë vdekur më shumë se 100,000 persona, infrastruktura është shkatërruar, dhe është krijuar kriza më e rëndë humanitare, ku fraksionet që kërkojnë të marrin pushtetin mbështeten nga Arabia Saudite dhe Irani.

Në fund të dhjetorit 2020, të paktën 26 persona humbën jetën dhe rreth 50 të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi në aeroportin e Adenit, në Jemen. Gjatë shpërthimit humbi jetën njëri prej ministrave dhe politikbërës të tjerë jemenas.

Shpërthimet dhe të shtënat me armë u dëgjuan pasi një aeroplan me qeverinë e re të Jemenit mbërriti në aeroport nga Arabia Saudite. Autoritetet jemenase akuzuan për aktin terrorist rebelët Houthi.

Ky vendim i Departamentit amerikan për ti shpallur Huthit organizatë terroriste vjen pak ditë para se presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden të marrë zyrtarisht mandatin.

SHKARKO APP