Lufta në qytetin e paqes. Çfarë e bën Jerusalemin një vend kaq të shenjtë?
Lufta në qytetin e paqes është ajo që përshkruan tensionet midis izraelitëve dhe palestinezëve në Jerusalem. Qyteti i paqes është i rëndësishëm për Krishterimin, Islamin dhe Judaizmin. I njohur në hebraisht si Yerushalayim dhe në arabisht si al-Kuds, Jerusalemi është një nga qytetet më të vjetra në botë. I pushtuar, i shkatërruar dhe i rindërtuar herë pas here, në çdo shtresë të tokës së tij zbulohen pjesë të ndryshme të së kaluarës dhe historisë. Qyteti i vjetër, përbëhet nga një labirint rrugicash të ngushta dhe arkitekturë historike që karakterizon katër lagjet e tij, të krishterë, myslimane, hebreje dhe armene, ku çdo lagje përfaqëson popullsinë e vet. Të krishterët kanë dy lagje, ndër to dhe armenët, lagjja e të cilëve, më e vogla nga të katërtat, është një nga qendrat më të vjetra armene në botë.
Kisha
Brenda lagjes së krishterë është Kisha e Varrit të Shenjtë, një vend i rëndësishëm për të krishterët në të gjithë botën, sepse mendohet të jetë vendi i vdekjes, kryqëzimit dhe ringjalljes së Jezusit. Kisha menaxhohet bashkërisht nga përfaqësues të konfesioneve të ndryshme të krishtera, kryesisht Patriarkana Greke Ortodokse, fretër françeskanë nga Kisha Katolike Romake dhe Patriarkana Armene, por gjithashtu nga etiopianët dhe Kisha Ortodokse Siriane. Është një nga destinacionet kryesore të pelegrinazheve për miliona të krishterë në të gjithë botën që vizitojnë varrin bosh të Jezusit dhe kërkojnë ngushëllim në atë vend.
Xhamia
Lagjja Myslimane është më e madhja nga të katërtat lagjet e Jerusalemit dhe përmban faltoren e Kupolës së Shkëmbit, si dhe Xhaminë al-Aksa, në një vend të njohur për myslimanët si Haram al-Sharif. Xhamia është vendi i tretë më i shenjtë në Islam pasi myslimanët besojnë se Profeti Muhamed udhëtoi këtu nga Meka dhe u lut me shpirtrat e të gjithë profetëve. Disa hapa larg, tempulli i Kupolës së Shkëmbit mban gurin, ku myslimanët besojnë se Muhamedi u ngjit në qiell. Besimtarët myslimanë vizitojnë vendin e shenjtë gjatë gjithë vitit, por çdo të premte gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, qindra mijëra myslimanë vijnë të luten në xhami.
Muri Perëndimor
Lagjja hebraike është shtëpia e Murit Perëndimor, një mbetje e murit mbështetës të malit, në të cilin dikur ishte Tempulli i Shenjtë. Hebrenjtë besojnë se ky ishte vendi i gurit themelor nga u krijua bota, dhe ku Abrahami u përgatit të sakrifikonte birin e tij Isakun. Shumë hebrenj besojnë se Kupola e Shkëmbit është vendi i Shenjtë i Shenjtërve. Ky vend menaxhohet nga Rabini i Murit Perëndimor dhe çdo vit pret miliona vizitorë. Besimtarët hebrenj nga e gjithë bota vizitojnë këtë vend për t’u lutur dhe për t’u lidhur me trashëgiminë e tyre, veçanërisht gjatë Festave.