Luftime të ashpra në Bahmut, raportohet për humbje të mëdha
Ukraina dhe Rusia janë duke raportuar për humbje të mëdha, teksa vazhdon beteja në qytetin ukrainas, Bahmut.
Moska është duke tentuar që disa muaj që të fitojë kontrollin e këtij qyteti në lindje të Ukrainës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se forcat ruse janë përballur me më shumë se 1.100 vdekje në ditët e fundit, dhe ka më shumë njerëz të plagosur seriozisht.
Rusia ka thënë se ka vrarë më shumë se 220 pjesëtarë të ushtrisë ukrainase në 24 orët e fundit.
Radio Evropa e Lirë nuk e ka konfirmuar vërtetësinë e këtyre shifrave.
Analistët kanë thënë se Bahmuti ka vlerë të vogël strategjike, mirëpo e ka marrë vëmendjen kryesore të komandantëve rusë, të cilët janë në kërkim të ndonjë lajmi pozitiv për Kremlinin.
Kapja e qytetit do t’i ndihmonte Rusisë në jetësimin e synimit të saj për të kontrolluar gjithë rajonin ukrainas të Donjeckut.
Donjecku është një prej katër rajoneve në lindje dhe jug të Ukrainës, që është aneksuar nga Rusia në shtatorin e vitit të kaluar, pas referendumeve që Perëndimi i ka konsideruar të rreme.
Para luftës, në Bahmut kanë jetuar rreth 70.000 njerëz, mirëpo tani vetëm pak mijëra kanë mbetur aty.
Ky qytet dikur është njohur për minierat e kripës dhe veraritë e mëdha.
Sikurse Rusia, edhe Ukraina i ka dhënë Bahmutit rëndësi politike, pasi Zelensky e ka kthyer qytetin në emblemë të rezistencës.
Sipas vlerësimeve të Perëndimit, mes 20.000-30.000 trupa ushtarake ruse janë vrarë apo janë plagosur deri më tani, në apo rreth Bahmutit.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. REL