Maas kritikon Macronin për deklaratat lidhur me NATO-n

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas sërish ka ritheksuar qëndrimin kundër të shtetit të tij ndaj kritikave që ka bërë Franca për NATO-n, duke paralajmëruar se “as Gjermania e as Evropa, nuk do të jenë në gjendje që ta mbrojnë vetën në mënyrë efektive”, pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara.

Këto komente vijnë në kohën kur Uashingtoni po bën presion që shtetet anëtare të NATO-s të paguajnë më shumë për mbrojtje.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron gjatë kësaj jave deklaroi për The Economist se “truri i NATO-s ka vdekur”, duke sugjeruar që Evropa duhet të marrë në duart e saj çështjen e sigurisë dhe nuk duhet të varet nga Shtetet e Bashkuara për të mbrojtur aleatët e saj.

“Do të ishte gabim nëse e minojmë NATO-n”, tha Maas për Der Spiegel.

Më herët, edhe kancelarja gjermane Angela Merkel ka kritikuar Macronin për deklaratën e tij për NATO-n.

Ministri gjerman, Maas po ashtu pranoi se evropianët duhet të ndërtojnë kapacitetet e tyre mbrojtëse.

“Prandaj, së bashku me Francën, ne po punojmë për të ndërtuar një Evropë që punon së bashku për politikat e sigurisë”, është shprehur ai.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump vazhdimisht ka kërkuar që vendet anëtare të NATO-s të kontribuojnë më shumë për mbrojtje./Rel

 

SHKARKO APP