Macron: Evropa duhet të vihet në lëvizje, të jetë dominuese dhe mbështetëse
Presidenti i zgjedhur, Emmanuel Macron theksoi sot se Evropa duhet të rivihet në lëvizje dhe të jetë në të njëjtën kohë dominuese dhe mbështetëse, në një mesazh video me rastin e Ditës së Evropës.
“Nuk do të jem një president i ulur. Unë jam një president i Republikës franceze që dëshiron që Evropa sot dhe nesër të mund të vihet në lëvizje, që ajo të jetë e denjë për premtimet e djeshme për të sjellë premtimet e së nesërmes”, deklaroi kandidati i lëvizjes En Marche! zgjedhur të dielën.
“Nuk bëhet fjalë për të vazhduar një Evropë të vitit 1950 që do të jetë e palëvizshme në përjetësi . Nëse ne dëshirojmë të jemi në lartësinë e këtij përvjetori, të këtij 9 maji 1950, ne duhet të rithemelojmë Evropën tonë, ne duhet të shkojmë më larg”, theksoi Macron duke iu referuar deklaratës së Robert Schuman.
Sipas presidentit të zgjedhur duhet gjithashtu një Evropë e fortë që mund të flasë me SHBA-në, me Kinën me fuqitë e tjera, një Evropë që mbron vlerat e saj.
“Por, ne kemi gjithashtu nevojë për një Evropë që mbron punonjësit, rrogëtarët, artizanët, tregtarët (…) që siguron një koherencë, një kohezion në një botë gjithnjë e më shumë të pasigurtë dhe gjithnjë e më shumë të trazuar”, shtoi Macron, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale përballë kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.
KOHA JONË SONDAZH

