Macron mbërrin në Kinë për vizitën tre ditore, së bashku me kryeministrat serb dhe grek – Fokusi mbi tregtinë
Presidenti francez Emanuel Macron ka mbërritur këtë të hënë në Kinë, për të zhvilluar një vizitë zyrtare shtetërore në të cilën pritet të diskutohen marrëveshjet tregtare dhe ndryshimet klimatike me homologun e tij kinez, Xi Jinping.
Pas takimit të dy krerëve, Macron do të marrë pjesë në ‘Import Expo’ në Shangai së bashku me komisionerin tregtar të BE-së, Phil Hogan si dhe kryeministrat e Serbisë dhe Greqisë.
Prezenca e këtyre dy të fundit është e rëndësishme sepse Athina ka nënshkruar një marrëveshje mbi “Iniciativën Një Brez, Një Rrugë” – plani global i Beijing për të shtuar marrëdhëniet tregtare, influencën dhe pozicionin ndërkombëtar në Azi dhe Europë.
Për Macron duket se vizita do të jetë tërësisht e përqendruar mbi tregtinë.
“Pallati i Elysee-së ka ngulur këmbë se dimensionet tregtare të kësaj vizite janë një prioritet dhe për këtë arsye, presidenti francez ka udhëtuar së bashku me 50 liderë biznesesh nga Franca.” – shprehet një korrespondente e ‘Euronews’.
Macron gjithashtu do vazhdojë të mbrojë edhe interesat e fermerëve francezë: “Macron ishte njeriu, i cili menaxhoi të negocionte fundin e bllokadës 17- vjeçare mes Francës dhe Kinës, në vizitën e tij të parë shtetërore vitin e kaluar.”
Kjo është hera e tretë që presidenti francez dhe homologu i tij kinez takohen për këtë vit, duke sinjalizuar një marrëdhënie të ngushtë midis dy liderëve.