Macron organizon samit të BE-së kundër terrorizmit
Presidenti francez, Emmanuel Macron të martën do të organizojë një samit përmes video-lidhjes për të koordinuar një përgjigje evropiane ndaj sulmeve të fundit në Evropë, për të cilat u fajësuan radikalët islamikë. Njoftimi u bë nga zyra e presidentit Macron.
Ai së pari do të takohet në Paris me kancelarin austriak, Sebastian Kurz dhe të dy më pas do të diskutojnë me kancelaren gjermane, Angela Merkel, shefin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen përmes një video-lidhjeje.
Më 16 tetor, në Francë, një mësues i historisë u vra në mënyrë mizore, pasi ai e kishte ilustruar një ligjeratë për shprehjen e lirë, me karikaturën e profetit Muhamed. Një 18-vjeçar me origjinë nga Çeçenia, i lindur në Moskë, është përgjegjës për vrasjen. Sulmuesi ia kishte prerë kokën mësuesit. Pas sulmit, ai është qëlluar për vdekje nga policia, shkruan Rel.
Më 29 tetor një burrë tjetër vrau tre persona në një kishë të Nicës, në atë që presidenti francez Emmanuel Macron e përshkroi si “një sulm terrorist, islamik”.
Ndërsa më 2 nëntor në Vjenë të Austrisë një sulmues vrau katër persona dhe plagosi 22 të tjerë. Policia austriake vrau sulmuesin e dyshuar, që e identifikuan si Kujtim Fejzullai, 20 vjeç, me shtetësi të Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut. Grupi militant, Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin, pa dhënë prova. Kancelari austriak Sebastian Kurz e quajti atë një “sulm të neveritshëm terrorist”.