Macron thirrje Evropës dhe SHBA-së: Dërgoni 4-5% të vaksinave në vendet e varfëra

Shtetet më të varfra të botës mundet që edhe këtë vit të mos marrin asnjë vaksinë kundër Covid-19.

Një studim zbuloi të premten se shtetet më të pasura kanë marrë 1 miliard doza më shumë sesa u nevojiten për banorët.

Pabarazinë e madhe e vuri në pah të mërkurën edhe OKB-ja, sipas të cilës vetëm 10 shtete kanë përdorur 75 për qind të të gjitha vaksinave të prodhuara deri tani, ndërkohë që 130 vende të tjera nuk kanë marrë një dozë të vetme.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, apeloi Evropën dhe SHBA-në të solidarizohen me vendet në zhvillim.

“Nuk po flasim për miliarda doza apo për miliarda euro. Duhet t’u ndajmë shpejt 4-5 për qind të atyre që kemi. Kjo nuk e prek programin tonë të vaksinimeve. Ndryshe, kemi Kinën dhe Rusinë që do të luftojnë për influencë me vaksinat,” tha Macron.

7 nga vendet më të zhvilluara të botës mbajnë të martën një samit virtual, ku temë diskutimi do të jetë edhe pandemia.

Nga pjesëmarrësit, presidenti Joe Biden i SHBA-së, është angazhuar që deri në vitin 2022 të alokojnë 4 miliardë dollarë për programin COVAX të OBSH-së.

Edhe kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, ka shprehur gatishmërinë për t’u ndarë qindra milionë doza shtesë vendeve në zhvillim, sapo të përfundojë vaksinimi në vend.

Në botë janë imunizuar deri tani kundër koronavirusit rreth 190 milionë njerëz, apo 2 në 100 persona.

Në nivel global, Izraeli ka imunizuar shumicën e banorëve, ndërsa SHBA-ja ka kryer numrin më të madh të vaksinave.

SHKARKO APP