Madagaskari kurë për Covid-19, promovohet pija me bazë bimore me veti antimalarike

Një kurë me bazë bimore kundër koronavirusit ka ngjallur interesin e disa shteteve afrikane por edhe shqetësim nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kura është prodhuar nga një laborator në Madagaskar, dhe po promovohet nga autoritetet atje.

Në shtetin ishullor të Madagaskarit, në lindje të Afrikës, ka nisur të shitet një kurë me bazë bimore kundër Covid-19.

Me gjithë paralajmërimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë se mund të paraqesë efekte anësore, disa shtete të kontinentit kanë bërë porositë e para.

Pija tonike me ngjyrë qelibari ka si përbërës kryesor bimën e Artemisias, që mendohet se forcon sistemin imunitar nga viruset falë substancës artemisinë.

OBSH-ja pranon vetitë antimalarike të bimës, por thekson se ajo nuk e kuron në vetvete malarien.

Bima haset në gjendje të egër edhe në Shqipëri.

“Ka disa kritikë dhe dyshime, por ne e ofrojmë si zgjidhje për të shpëtuar jetë njerëzish. Jemi mësuar me Europën dhe vendet e tjera që kontribuojnë për problemet globale. Tani jemi krenarë për Afrikën që po jep zgjidhjen e saj alternative,” deklaroi ministri i jashtëm madagaskan.

Sipas autoriteteve, kura e tyre bimore ka rezultuar efikase për pacientët me koronavirus, pasi vendi nuk ka raportuar deri tani asnjë viktimë nga rreth 200 rastet e infeksionit me Covid-19.

Dhjetëra mijëra doza u janë shpërndarë falas vendeve të interesuara afrikane.

Qytetarët madagaskanë i sigurojnë ato për rreth 40 qindarka.

“Kam gjashtë ditë që e konsumoj dhe sot në ditën e shtatë përfundoj trajtimin. Mendoj se kjo është kura ndaj pandemisë.”

“Bima e ravinsarës përdoret kur ke ethe dhe dhembje koke. E gatuajmë, e ziejmë, esencën pastaj e pimë.”

“Ka pak shijen e kininës. Nuk i njoh barërat e tjera me të cilat përzihet, por janë pjesë e mjekësisë sonë.”

OBSH-ja i ka bërë thirrje qeverisë madagaskane të nisë testimet në klinika për efektet e medikamentit, pasi druan se njerëzit që e konsumojnë pijen mund t’u duket se kanë fituar imunitet dhe të rrezikojnë bartjen e infeksionit nga kontakti me të tjerët.

SHKARKO APP