Mafiozi turk Sedat Peker që u strehua në Kosovë po trazon qeverinë e Erdoganit
Pretendimet e një bosi të mafias, Sedat Peker, për korrupsion midis zyrtarëve të lartë të Turqisë kanë trazuar politikën turke dhe po kërcënojnë imazhin e qeverisë së presidentit, Recep Tayyip Erdogan, e cila tashmë është duke u përballur me krizën ekonomike dhe pandeminë e COVID-19. Peker një kohë ka qenë i strehuar edhe në Kosovë.
Peker nuk ka ofruar asnjë fakt për akuzat e tij. Besohet se ai aktualisht gjendet në Dubai.
Cilat janë akuzat e Peker?
Përmes një sërë publikimesh të videove në rrjetet sociale, javët e fundit, Peker, ka bërë pretendime për korrupsion, trafik droge dhe fshehje të vrasjeve ndaj figurave të partisë në pushtet në Turqi duke thënë se ka pasur lidhje të ngushta mes zyrtarëve të lartë turq me persona të nëntokës, transmeton agjencia Asocciated Press (AP).
Pretendimet e tij kthehen dekada më parë në ngjarje dhe ai nuk ofron asnjë fakt për ato. Por, përmes monologjeve të tij që zgjasin me orë në videot e publikuara, ai e portretizon veten si një sinjalizues. Publikimet ndodhin në një kohë jo të favorshme për presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, partia e të cilit tashmë ka shënuar rënie të përkrahjes në bazë të hulumtimeve të opinionit, shkruan The Guardian.
Edhe pse mediave tradicionale turke – të cilat janë nën kontroll të plotë nga shteti – iu desh kohë të regjistrojnë shtatë episodet e videove të publikuara nga Peker në Youtube – nga 12 të premtuara në total – në platforma të ndryshme në internet, megjithatë, videot kanë arritur të kenë më shumë se 30 milionë shikime.
I ulur në një tavolinë në një dhomë hoteli, me një qafore ari rreth qafës dhe libra e shënime të vendosura me kujdes para tij, Peker ka folur për shumë tema dhe persona, duke ofruar dëshmi dramatike të krimeve të kryera në emër të zyrtarëve të zgjedhur, dhe duke përdorur terminologjinë ligjore, e cila po të analizohet mund të sinjalizojë se pretendimet e tij janë përpiluar në atë mënyrë që mund të ishin material për në gjykatë.
Hap pas hapi, mafiozi turk përmes rrëfimit të tij ka krijuar një pamje të bashkëpunimit të gjerë midis rrjeteve të krimit të organizuar dhe zyrtarëve të lartë në Turqi.
Ai deri më tani e ka shënjestruar kryesisht ministrin e Brendshëm të Turqisë, Suleyman Soylu.
Në video, bosi i krimit të organizuar pretendoi se ka pasur një marrëdhënie të ngushtë me ministrin e Brendshëm Soylu, i cili, siç thotë, i ofroi atij informacione të sigurisë dhe e paralajmëroi për një hetim ndaj grupit të tij.
Peker gjithashtu pohoi se Soylu kishte kërkuar ndihmën e tij në një përpjekje për të mposhtur një grup rival brenda partisë në pushtet (Partia për Drejtësi dhe Zhvillim). Në disa intervista televizive, Soylu, ka mohuar pretendimet.
Në videon e tij të fundit, Peker e ka akuzuar, Erkam Yildirim, djalin e ish-kryeministrit Binali Yildirim, se kishte udhëtuar në Venezuelë për të gjetur rrugët e mundshme të kontrabandës së narkotikëve. Ish-kryeministri, Binali Yildirim, e mohoi duke këmbëngulur se djali i tij, i cili udhëheq një kompani transporti, kishte udhëtuar në Karakas me një mision humanitar për të shpërndarë mjete dhe teste kundër COVID-19.
Bosi i mafias ka akuzuar edhe ish-ministrin e brendshëm, Mehmet Agar dhe djalin e tij Tolga Agar, një ligjvënës nga Partia në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim. Peker pretendoi se Tolga Agar ishte përfshirë në përdhunimin dhe vdekjen e dyshimtë të një gazetareje kazake, Yeldana Kaharman. Ligjvënësi Agar i ka hedhur poshtë akuzat.
Peker ka thënë gjithashtu se një ish-nënkolonel dhe një zyrtar i lartë i shërbimit turk të inteligjencës (MIT) urdhëroi vrasjen e një gazetari turk qipriot më 1996.
Peker pretendon se ka qenë i përfshirë në krime, duke thënë se njerëzit e tij sulmuan zyrat e një gazete më 2015 dhe kërcënuan akademikë që kërkonin paqe në konfliktin e gjatë të Turqisë me partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha të mërkurën (26 maj) se akuzat e Peker janë një komplot kundër Turqisë. Ai u zotua se do të luftojë bandat kriminale.
Erdogan tha se ai e mbështet ministrin e Brendshëm, Suleyman Soylu.
Presidenti turk e quajti publikimin e videove si një “operacion dinak” ndaj udhëheqjes së tij dhe Turqisë.
“Ne do t’i shkatërrojmë këto lojëra dhe komplote. Ne do t’i ndjekim anëtarët e bandave kriminale kudo në botë”, tha Erdogan, në një fjalim drejtuar anëtarëve të partisë së tij në pushtet.
Peker, i cili besohet se jeton aktualisht në Dubai, nuk ka ofruar deri më tani prova për të mbështetur pretendimet e tij.
Opozita turke ka bërë thirrje që të hetohen pretendimet e Peker.
Ahmet Davutoglu, një udhëheqës i partisë së opozitës dhe ish-aleat i Erdoganit që kishte shërbyer si kryeministër nga 2014 deri më 2016, bëri thirrje për një hetim parlamentar të akuzave dhe vuri në dyshim mbështetjen e presidentit për ministrin Soylu.
“Nëse Presidenti Erdogan beson në pafajësinë e Soylu, ai duhet ta kishte thënë këtë në ditën e parë. Jo pas 25 ditësh”, tha Davutoglu.
Akuzat e mafiozit Peker ende nuk e kanë prekur “Vëllain Taip”, siç e quan ai presidentin. Por, shënjestrimi i rrethit të tij të ngushtë jep sinjale se Erdogani do të jetë objektivi përfundimtar.
“Çështja e legjitimitetit ose pozicionit të Peker nuk justifikon heshtjen ose pandëshkueshmërinë”, i tha AFP-së, Erol Onderoglu, përfaqësuesi i Turqisë për Reporterët pa Kufij.
Peker, 49 vjeç, ka mbajtur disa dënime me burg në Turqi.
Peker besohet se ishte arratisur nga Turqia vitin e kaluar pasi filloi një operacioni kundër grupit të tij.
Është e paqartë se pse bosi i mafias, i cili e ka mbështetur Erdoganin duke organizuar tubime politike në favor të tij dhe duke bërë kërcënime kundër kundërshtarëve të tij – është kthyer kundër qeverisë.
Peker pohon se ai u detyrua të flasë pasi gruaja dhe dy vajzat e tij u keqtrajtuan gjatë një sulmi të policisë në shtëpinë e tyre.
Radio Evropa e Lirë më 15 prill ka bërë një hulumtim në lidhje me të kaluarën e Sedat Peker dhe lidhjet e tij me Kosovën.
Peker i cili në Turqi konsiderohet si një ndër personat më të rëndësishëm të ‘operacioneve mafioze’ që nga vitet e 90-ta, në dy vjetët e fundit ka gjetur strehim edhe në Kosovë dhe vendet të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Peker e ka një leje të përkohshme qëndrimi në Kosovë, e së fundmi, ai është pajisur edhe me një pasaportë të Maqedonisë së Veriut, me identitet të rremë. Gjatë qëndrimit në Kosovë, disa herë është takuar me disa zyrtarë nga Kosova.
Në një shkrim të publikuar në muajin shkurt të vitit 2019, organizata Nordic Monitor e përshkruan Pekerin si personin më të fuqishëm të mafias turke. Nordic Monitor është një faqe lajmesh në internet dhe faqe përcjellëse, që drejtohet nga Rrjeti Nordik i Kërkimeve dhe Monitorimit me qendër në Stokholm. Kjo media mbulon lëvizjet ekstremiste fetare, ideologjike e etnike dhe grupet radikale, me një fokus të veçantë në Turqi.
Në vitin 1997, Peker u akuza për një vrasje që bëri që ai të largohej drejt Rumanisë, por pak muaj më vonë, një gjykata në Turqi e shpalli të pafajshëm.
Siç raporton BBC në gjuhën turke, një hetim i nisur kundër krimit të organizuar në fillim të viteve 2000, çoi në arrestimin e Pekerit pesë vjet më vonë.
Në fund të procesit gjyqësor, Peker u dënua me 14 vjet burgim për veprën penale “Formimi i një grupi të armatosur terrorist”, por dënimi iu reduktua dhe ai u lirua në vitin 2014.
Pas largimit nga Turqia, në dy vjetët e fundit, Peker gjeti strehim herë në Mal të Zi, herë në Shqipëri, herë në Maqedoni të Veriut e pjesërisht edhe në Kosovë, ku ende ka një leje të përkohshme qëndrimi me të cilën u pajis në vitin 2014.
Leja e tij e qëndrimit është valide deri më 29 dhjetor, 2021.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, për herë të fundit Peker ka hyrë në territorin e Kosovës më 18 janar, 2021 dhe është larguar në drejtim të Shqipërisë pas vetëm dy ditësh.
Mediat në Maqedoni të Veriut kishin raportuar se Peker ishte arrestuar të njëjtën ditë për shkak të shkeljes së lejes së qëndrimit dhe se ai ishte deportuar për në Kosovë.
Asokohe u raportua se Sedat Peker kishte shtetësi të Kosovës, gjë që u mohua nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Në muajin janar të këtij viti, përmes një reagimi, MPB-ja sqaroi se Sedat Peker nuk kishte nënshtetësi të Kosovës, por konfirmoi se ai ka një leje qëndrim të përkohshëm, me të cilën ishte pajisur në vitin 2014.
Radio Evropa e Lirë, më 12 prill, 2021, ka dërguar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës disa pyetje sa i takon mënyrës së pajisjes me leje të përkohshme të qëndrimit, evidencat e hyrje-daljeve në territorin e Kosovës si dhe faktin nëse Peker po hetohet nga institucionet e Kosovës.
MPB-ja është pyetur gjithashtu nëse autoritetet e Maqedonisë së Veriut apo Turqisë kanë kërkuar bashkëpunim me Kosovën për të identifikuar vendndodhjen e Pekerit.
Ky institucion nuk është përgjigjur. Njëjtë ka vepruar edhe Prokuroria e Shtetit.
Në një përgjigje të shkurtër ka dhënë Policia e Kosovës. Ky institucion, më 13 prill, 2021, ka thënë se nuk mund të ndajë informacione për hyrje-daljet e Sedat Pekerit, pasi kjo sipas tyre, kjo bie ndesh me Ligjin e të dhënave personale.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Peker është takuar edhe me politikanë të atjeshëm. Fikrim Damka, udhëheqës i Partisë Demokratike Turke në Kosovës, tani ministër i Zhvillimit Rajonal, në të kaluarën ka pasur disa takime me Sedat Pekerin. Në internet gjenden disa fotografi në të cilat Peker shihet i shoqëruar nga ministri Damka.
Në njërin nga takimet që u zhvillua mes Pekerit dhe Damkës, i pranishëm ka qenë asokohe edhe ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Yildiray Bayram, që po ashtu është pjesëtar i komunitetit turk në Kosovë.
Në vitin 2019, Peker ka vizituar edhe Komunën e Mamushës, komunë kjo që banohet kryesisht nga pjesëtarë të komunitetit turk. Aty është pritur zyrtarisht nga kryetari i kësaj komune, Abdylhadi Krasniç.Gjatë një vizite tjetër në Kosovë, Peker, kishte takuar edhe kryetarin e Hanit të Elezit, Rufki Suma.Në një reagim të tij, Suma kishte mohuar të ketë njohur apo pasur informacione për Sedat Pekerin para se ta takonte. /REL/