Maqedonia e Veriut do të blejë 100 mijë vaksina ruse Sputnik V

Maqedonia e Veriut ka vendosur që të furnizohet me 100 mijë vaksina ruse kundër koronavirusit, pas vendimit të mëhershëm për blerjen e 200 mijë vaksinave kineze. Kryeministri Zoran Zaev, ka bërë me dije se u ka dhënë institucioneve udhëzimet për kontraktimin e marrëveshjes së furnizimit me vaksina “Sputnik V”.

”Të shtunën mora informacion nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipce se ne kemi kapacitet, në përputhje me marrëveshjet e përfunduara dhe ato të paguara, të porosisim 100,000 doza të vaksinave tjera që do të plotësonin planin e përgjithshëm, dhe nuk do të shkaktojnë vaksina të tepërta…Unë kam dhënë udhëzimet për furnizim me 100 mijë vaksina ruse. Gjithçka që ka të bëjë me vaksinat, ne kemi bërë punën tonë, porositë, kontratat”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Vaksinimi kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, në Maqedoninë e Veriut ka nisur më 17 shkurt, me dërgesën e parë të 4,680 vaksinave të kompanisë Pfizer si donacion nga Serbia.

SHKARKO APP