Maqedonia e Veriut firmos marrëveshjen për vaksinën kineze, Filipçe: Të hapur edhe atë ruse
Ministri i Shëndetësisë, në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe ka nënshkruar marrëveshjen për furnizim me vaksina kundër Covid-19 me kompaninë kineze “Sinofarm”. Sipas marrëveshjes rreth 200 mijë doza të vaksinave do të arrijnë në vendin tonë gjatë muajit shkurt, ndërsa data e saktë do të bëhet e ditur ditëve në vijim.
“Vaksina e kompanisë “Sinofarm” ruhet dhe shpërndahet në një temperaturë prej 2 deri në 8 gradë Celsius, ndërsa është e paketuar në shiringë të mbushur paraprakisht, e cila lehtëson aplikimin e vetë vaksinës. Ky lloj i vaksinës ka një lidhje optimale midis sigurisë dhe efikasitetit, prandaj mund t’u jepet të gjithë qytetarëve, pa kufizime”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
“Jemi të hapur për të gjitha opsionet. Unë besoj se pas muajit mars, të gjitha vaksinat do të jenë më të qasshme. Do të zmadhohet qasja gjithkund në Evropë, kështu u përgjigj ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe i pyetur nëse autoritetet në vend po shqyrtojnë mundësinë për furnizim me vaksinën ruse kundër Covid-19 dhe vaksinën e kompanisë “Moderna”.
Filipçe theksoi se kompania “Moderna” ka ofruar kontratë, por që sipas ministrit sasia e ofruar është e tepërt për tregun tonë. Ministri pohoi se nuk ka rëndësi të madhe lloji ose vendi i prodhimit të vaksinës kundër Covid-19, por që me rëndësi për është që të sigurohet vazhdimësi e imunizimit, respektivisht mos të ketë ndërprerje të procesit të imunizimit në vend.