Maqedonia e Veriut për herë të parë në Samitin e NATO-s, Zaev: Moment historik

Kryeministri Zoran Zaev ka udhëhequr në Bruksel, delegacionin e përbërë nga Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, në Samitin e NATO-s .

Kjo është hera e parë që Maqedonia e Veriut merr pjesë si anëtare në Samitin e NATO-s. Zaev është shprehur se ky është një moment historik për Maqedoninë e Veriut dhe vendi mbetet i përkushtuar për të përmirësuar stabilitetin dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal për përfitime ekonomike dhe prosperitet të të gjithë qytetarëve.

“Sot është një moment historik. Ky është Samiti i parë i NATO-s për Maqedoninë e Veriut si anëtare e plotë. Anëtarësimi në NATO ishte realizim i qëllimit tonë strategjik, por përveç kësaj me anëtarësimin tonë, Aleanca përmirësoi sigurinë dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Jemi të përkushtuar për vizionin e Ballkanit, si rajon i paqes, stabilitetit dhe rritjes së bashkëpunimit rajonal për përfitime ekonomike dhe prosperitet të të gjithë qytetarëve. Sot jemi këtu për të konfirmuar unitetin, kohen dhe solidaritetin tonë. Ne ndajmë të njëjtat vlera, qëndrojmë sup më sup me aleatët tanë dhe jemi plotësisht të përkushtuar për sigurinë tonë kolektiv”, ka thënë Zaev.

Gjithashtu Zaev është shprehur besimplotë se Bullgaria do të mbështesë vendin për pjesëmarrjen në Konferencën Ndërqeveritare, duke mos u bërë penguese në rrugën drejt integrimit europian.

Ndërkohë sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg tha se mbështetja për stabilizimin rajonal, do të vazhdojë.

“Kemi shtete të reja anëtare nga ai rajon në vitet e fundit, duke provuar kështu që dera e NATO-s është e hapur, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë shtete të reja anëtare, por ne gjithashtu kemi partnerë në vendet e tjera të rajonit dhe ende kemi KFOR në Kosovë, jemi të pranishëm dhe vazhdojmë të ndihmojmë në stabilizimin e rajonit”, tha Stoltenberg.

SHKARKO APP